Skenarët për zhdukjen e avionit

27/06/2014 00:00

Pas krahasimit të kushteve të fluturimit me fatkeqësi të mëparshme ajrore, hetuesit australianë kanë dalë në përfundimin se, me të gjitha gjasat, pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të avionit malajzian, të zhdukur në muajin Mars, kanë vdekur të asfiksuar, teksa mjeti i drejtuar me pilot automatik rrëzohej në Oqeanin Indian.

Raporti i ri 55-faqësh i Bordit australian të Sigurisë së Transportit e ngushton mundësinë e vendit të prehjes së dhjetra personave, nga disa qindra hapësira të mundshme verifikimi. Vendimi për të spostuar kërkimet në një zonë me sipërfaqe 60,000 km katror në jug të Oqeanit Indian, larg pjesës së kontrolluar deri më tani, mbështetet në projeksionet e reja satelitore.

Nisur nga të gjitha të dhënat e grumbulluara deri tani, dhe momentet finale të një ekuipazhi që nuk reagonte, ka mjaft mundësi që personat në bord të ishin asfiksuar, kur fluturimi MH370 mori një drejtim përgjithësisht jugor, thuhet në raport.

Ekspertët mendojnë se Boeing 777, me 239 persona në bord, ka fluturuar me pilot automatik për disa orë, përpara se të përfundonte në ujë. Për zëvendës/kryeministrin australian Ëarren Truss, ky është skenari ndoshta më i besueshëm, sepse në të kundërt avioni nuk do të ndiqte dot rrugën e përpikte të identifikuar nga pamjet satelitore.

Analiza e re vjen më shumë se 100 ditë pas zhdukjes së mistershme të avionit të “Malaysia Airlines”, të nisur më 8 Mars nga Kuala Lumpur, me destinacion Pekinin.

Top Channel