Samiti i BE në Ypern

27/06/2014 00:00

Krerët e qeverive dhe shteteve të Bashkimit Europian u mblodhën në Ypern të Belgjikes për të përkujtuar shpërthimin e Luftës së Parë Botërore 100 vjet më parë.

Presidenti i Këshillit të BE-së Van Rompuy e kishte zgjedhur këtë vend sepse në betejën e Yprenit gjetën vdekjen 500.000 ushtarë. Në fjalën e tij të shkurtër, Rompuy tha se ata që jetojnë sot mund të nxjerrin nga tmerret e luftës vetëm një mësim;

“Katër breza dhe 100 vjet kanë kaluar, por kujtesa jonë është ende e paprekur. Ne që jemi së bashku këtu, 28 shtetet e bashkuara, jemi të sigurtë se ne jemi rojtarët e vigjilencës. Nga ne varet, që fjalët t’i bëjmë vepra që të zgjojmë besimin tek paqja për ta bërë atë të përjetshme”, tha ai.

Kancelarja Angela Merkel tha para fillimit të samitit që arsyeja solemne pse jemi mbledhur do të na frymëzojë dhe shpresoj se do të na motivojë që të marrim vendimet e nevojshme për pesë vitet që kemi përpara.

Duke sqaruar planet e BE-së për pesë vitet e ardhshme, Van Rompuy tha se BE-ja duhet të përqendrohet në gjërat më kryesore dhe t’u përkushtohet kryesisht luftës kundër papunësisë dhe rritjes ekonomike.  Në lidhje me Presidentin e Ardhshëm të Komisionit Europian duket se kryeministri britanik David Cameron vazhdon të mos gjejë mbështetje  për qëllimin e tij që Jean-Claude Juncker të mos e marrë këtë post.

Britanikët megjithatë ende nuk i kanë formuluar kërkesat se çfarë çmimi kërkojnë në rast se ndërrojnë mendin, cka e bën kërkimin e kompromiseve të vështirë.

Top Channel