
Presidenti ukrainas ka lavdëruar paktin “historik” tregtar të nënshkruar me Bashkimin Europian, duke e quajtur ditën e sotme “më të rëndësishmen” pas Pavarësisë së vitit 1991. Por, Rusia paralajmëroi se marrëveshja e partneritetit, e nënshkruar gjithashtu edhe nga dy shtete të tjera të ish-Bashkimit Sovietik, Gjeorgjia dhe Moldavia, do të ketë “pasoja serioze”.
Pakti është arritur pavarësisht krizës aktuale në Ukrainë. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se detyrimi i Ukrainës për të zgjedhur mes Rusisë dhe BE-së do ta bëjë atë të ndahet më dysh. Armëpushimi mes forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në rajonet e trazuara lindore të Ukrainës pritet të skadojë të premten më 21:00 të darkës.
Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, i cili ndodhet në Bruksel ku dhe u nënshkrua pakti, tha se do të marrë së shpejti një vendim, nëse do ta zgjasë apo jo “paqen” njëjavore, kur ai të rikthehet në Kiev, orët e vona të së premtes.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se do të mirëpriste një zgjatje të armëpushimit, por jo në rast se ai do të ishte i një forme ultimative ndaj separatistëve për të dorëzuar armët.
Putin këmbëngul për një armëpushim afatgjatë, për të hapur rrugën kështu të negociatave mes qeverisë ukrainase dhe separatistëve, si dhe nxit Poroshenkon të nisë “rrugën e paqes, dialogut dhe marrëveshjeve”.
Putin tha se “nga gjakderdhja në jug-lindje të Ukrainës, një katastrofë humanitare, dhjetra mijëra refugjatë janë zhvendosur në territorin rus për të gjetur strehim”. Më tej ai shtoi se “përpjekjet për ta detyruar popullin ukrainas drejt një zgjidhjeje artificiale mes Europës dhe Rusisë, çuan drejt përçarjes së shoqërisë, si dhe një konfrontimi të dhimbshëm të brendshëm”.
Nga Brukseli, Poroshenko lavdëroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit prej 1200 faqesh si një pikë kthese, duke e përshkruar atë si një “simbol të besimit dhe dëshirës së palëkundur”. “Është një ditë e madhe, një ditë historike, ndoshta më e rëndësishmja që prej Pavarësisë”, tha ai. Poroshenko deklaroi gjithashtu që pati shenja të qarta të nisjes së përgatitjeve për t’iu bashkuar bllokut të BE-së.
Top Channel