Pakti i BE me ish-republikat sovjetike

27/06/2014 00:00

Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia nënshkruan një marrëveshje partneriteti me Bashkimin Europian që i afron ato më shumë si ekonomikisht ashtu edhe politikisht me Brukselin.

Marrëveshja kundërshtohet me forcë nga Rusia dhe është pikërisht një marrëveshje e tillë e refuzuar nga ish-presidenti ukrainas Viktor Janukoviç nën presionin e Rusisë, që qendron në zemër të krizës ukrainase.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko deklaroi se e sheh nënshkrimin e marrëveshjes si fillimin e përgatitjeve për anëtarësimin e plotë të vendit të tij në Bashkimin Europian. Ai e përshkroi një ditë historike, që nga pavarësia nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy nga ana e tij e cilësoi si një ditë të madhe për Europën. “Bashkimi Europian qendron në krahun tuaj sot më shumë se kurrë”, tha ai.

Më herët, Sergei Glazyev, këshilltari ekonomik i presidentit rus, Vladimir Putin kundërshtoi marrëveshjen. Ai tha se BE-ja nuk po respekton vullnetin e popullit ukrainas, përfshirë atë të banorëve rusisht-folës të rajonit të Donbasit ku rebelët vazhdojnë luftimet me forcat ushtarake të Kievit.

“Europa po mbyll një sy përpara faktit që Ukraina është e përçare mbi këtë çështje. Po e detyrojnë të afrohet me bllokun. Do të përpiqen ta kolonizojnë duke i hequr nga sovranitetin”, tha ai.

Ndihmësi i Putinit nuk kurseu as kritikat e forta kundër Poroshenkos të cilin e quajti nazist. Ndërkohë në Ukrainën Lindore raportohen luftime sporadike mes separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare, pavarësisht se në fillim të javës u njoftua një armëpushim i njëanshëm i Kievit që më vonë u pranua edhe nga separatistët.

Të paktën 420 persona mendohet se kanë humbur jetën nga përleshjet e armatosura që nga nisja e luftimeve në të rajon të Ukrainës.

Top Channel