Ndërsa Gjykata Kushtetutese ende nuk e ka dhënë vendimin e saj se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë e re, liderët e bllokut opozitar vijojnë me aktivitetet e tyre për krijimin e qeverisë së re.

Të premten, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi u takuan në selinë e partisë Nisma për Kosovën. Pas takimit, që zgjati më pak se një orë, Limaj tha se u krijuan dy grupe ekspertësh për caktimin e prioriteteve për qeverinë e re.

Në pikëpyetje mbeten ende kërkesat e lëvizjes Vetëvendosje, e cila si kusht thelbësor për mbështetjen e kësaj qeverie ka vënë pezullimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Sot po ashtu janë formuar edhe dy grupe tjera ekspertësh të cilët do të vazhdojnë hartimin dhe listimin e prioriteteve të qeverisë së ardhshme”, deklaroi në përfundim të takimit Fatmir Limaj.

I pyetur për kërkesat e Vetëvendosjes, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se materiali është në faza shqyrtimi. Ai shtoi se është e rëndësishme që ekziston pajtueshmëria për krijimin e një qeverie pa PDK-në brenda.

“Ne kemi një marrëdhënie kontraktuale mes tri subjekteve politike, por kemi edhe një partneritet, të paktën shumë serioz që quhet “Jo Thaçi 3”, ku Vetëvendosje ka aksionet e veta politike”, deklaroi Haradinaj.

Por se kush do ta zbusë qëndrimin për këtë çështje, të paktën tani për tani i përzgjedhuri për kryeministër nuk ka përgjigje. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri mohoi mundësinë e krijimit të qeverisë teknike. Ai beson në një vendim në përputhje me realitetin zgjedhor të Gjykatës Kushtetutese.

I sapokthyer nga Brukseli, zoti Haziri bëri të ditur se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane për zhvillimet e reja. “Kosova është aq politike sa nuk e mban dot asnjë qeveri teknike”, tha Haziri.

Nga ky takim u bë e ditur se shumë shpejt do të ketë një takim të përbashkët edhe me kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Siç dihet, lëvizja Vetëvendosje kërkon që qeveria e ardhshme të pezullojë dialogun Prishtinë-Beograd dhe të ndërpresë procesin e privatizimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA