
Liderët e Bashkimit Europian, të mbledhur në Bruksel, kanë kandiduar ish-kryeministrin Jean-Claude Juncker për të pasuar Jose Manuel Barroso-n në postin e Komisionit Europian. Lëvizja e fundit kryhet pavarësisht kundërshtimit të fortë të Britanisë së Madhe.
Më herët, kryeministri David Cameron kishte thënë se “parashikimet janë forcuar ndjeshëm kundër meje” në lidhje me zotin Juncker, por theksoi se do të vazhdojë të qëndrojë i palëkundur ndaj parimeve të tij.
Ai beson se Juncker është një favorizues i madh i një unioni politik të mbyllur dhe mund të bllokojë reformat në BE. Ai kundërshton gjithashtu mënyrën se si Juncker, veterani 59-vjeçar i vendimmarrësve të Brukselit, është konsideruar si pretendent për këtë post.
Ai ishte kandidati lider i partisë së Qendrës së djathtë “Partia Popullore Europiane”, që muajin e kaluar fitoi zgjedhjet europiane.
Një zyrtar britanik tha se të gjithë liderët e BE-së kanë dhënë pikëpamjet e tyre dhe më pas votuan 26 pro dhe 2 kundër për kandidimin e Juncker-it, teksa vetëm kryeministri hungarez, Viktor Orban, iu bashkua zërit kundër të kryeministrit Cameron, i cili e quajti këtë si “një ditë të trishtë për Europën”.
Cameron shkoi më tej, duke paralajmëruar se do të influencojë vendimin e marrë tashmë të votuesve britanikë, për të votuar mbi largimin ose jo nga Bashkimi Europian. Ai kundërshton jo vetëm mënyrën se si është zgjedhur ish-kryeministri i Luksemburgut, por edhe përshtatshmërinë e tij ndaj postit më të fuqishëm politik të BE-së.
“U kam thënë liderëve të BE-së se do të jetojnë me pengun e procesit të ri për përzgjedhjen e Presidentit të Komisionit. Kam qëndruar gjithnjë besnik ndaj interesave të Britanisë së Madhe”, shkroi në Tëitter kryeministri Cameron, pas vendimit.
Konservatorët britanikë, të cilët u tërhoqën nga EPP-ja, dyshojnë se Komisioni po politizohet në një duel pushteti nga Parlamenti Europian. Por, mbështetësit e Juncker vlerësojnë rekordin e tij të krijimit të konsensusit dhe angazhimin për integrimin e BE-së.
Sipas ligjeve të reja të traktatit të BE-së, liderët do të duhet të marrin parasysh rezultatet e zgjedhjeve europiane, kur nominojnë një shef të Komisionit. Parlamenti do të votojë për këtë kandidaturë muajin e ardhshëm, më 16 Korrik, ku Juncker pritet të marrë mbështetjen e shumicës së ligjvënësve të qendrës së djathtë dhe asaj të majtë.
Top Channel