Juncker, ndarja e madhe mes Londrës e Brukselit

27/06/2014 00:00

Udhëheqësit e Bashkimit Europian pritet të konfirmojnë kandidaturën e Jean-Claude Juncker si President të Komisionit Europian, pavarësisht kundërshtimit të fortë të Britanisë së Madhe.

Kryeministri britanik, David Cameron beson se konservatori Juncker është më shumë se sa duhet në favor të zgjerimit të kompetencave dhe të pushtetit për unionin. Kjo për Londrën mund të bëhet shkak për bllokimin e reformave.

Britania e Madhe pritet të kërkojë një votim në samitin që do zhvillohet në Bruksel, pavarësisht se emërime të tilla zakonisht janë bërë me konsensus mes të gjitha vendeve anëtare.

Këtë javë përpjekjet e Britanisë për të siguruar mbështetjen e vendeve të tjera të BE-së kundër kandidaturës së Juncker, të mbështetur fort nga Gjermania dhe kancelarja Merkel morën një goditje të fortë.

Merkel i tha Cameron se kandidatura e Juncker do të hidhej për votim nëse nuk do të kishte një konsensus mes palëve. Menjëherë pas kësaj vende si Holanda dhe Suedia braktisën qëndrimin “asnjëanës” dhe iu bashkuan vendeve që mbështesin ish-kryeministrin e Luksemburgut.

Top Channel