
Arabia Saudite ka vendosur në gjendje gatishmërie të lartë forcat e saj të sigurisë për t’i bërë ballë një kërcënimi të mundshëm të militantëve ekstremistë të ISIS.
“Për t’u paraprirë kërcënimeve të organizatave terroriste është urdhëruar marrja e të gjitha masave të nevojshme për të mbrojtur vendin, sigurinë dhe stabilitetin e popullit saudit”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga agjencia shtetërore e lajmeve, SPA.
Masat janë një pasqyrë e asaj që po ndodh në Irak, megjithëse nuk përmendet drejtpërdrejtë në njoftimin e shpërndarë nga agjencia e lajmeve saudite.
“Arabia Saudite ndan një vijë të gjatë kufitare me Irakun dhe qeveria është e njohur me kërcënimet e ISIS dhe planet e tij të bëra publike për të sulmuar Arabinë Saudite”, citohet nga CNN një zyrtar arab.
Militantët e Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut po synojnë të ringjallin një kalifat. Ata kontrollojnë një territor të gjërë në veri dhe perëndim të Irakut. Forcat e Bagdadit kanë qenë të pafuqishme t’u kundërvihen, ndërkohë që nën kontrollin e ekstremistëve sunitë kanë rënë edhe rafineritë më të mëdha në vend si dhe qyteti i dytë më i madh pas Bagdadit.
Top Channel