Iraku, Hague takon liderët kurdë

27/06/2014 00:00

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague ndodhet në veri të Irakut për të biseduar me liderët kurdë, në përpjekje për t’i mobilizuar ata kundër ekstremistëve të ISIS, që kërcënojnë të marrin nën kontroll vendin.

Vetë shefi i diplomacisë britanike njoftoi në Twitter se kishte mbërritur në Erbil për t’u takuar me liderët rajonalë kurdë.

Hague, i cili më herët u takua me kryeministrin iraken Nouri al Maliki, ka paralajmëruar se vendi po përballet me një “kërcënim të ekzistencës”. Ai u ka bërë thirrje liderëve politikë që të lënë mënjanë ndasitë sektare.

Mbretëria e Bashkuar ka përjashtuar çdo ndihmë ushtarake direkte, duke u fokusuar në mbështetjen humanitare, diplomatike, si dhe në atë të bashkëpunimit kundër terrorizmit.

Në një fjalim të mbajtur të enjten, zoti Hague tha se Britania do të insistojë për veprim tek Kombet e Bashkuara për të ndalur fluksin e armëve që bien në duart e rebelëve dhe aksesin e tyre tek kapitalet financiare.

Gjithashtu, ai bëri thirrje që të përdoret e gjithë forca e ligjit për të penguar qytetarët britanikë që të udhëtojnë në rajon dhe t’u bashkohen luftimeve.

Nga ana e tyre, autoritetet irakene po përpiqen dëshpërimisht të frenojnë avancimin e militantëve sunitë, të udhëhequr nga Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, ISIS, që tashmë ka marrë nën kontroll pjesët në veri dhe perëndim të vendit.

Qeveria irakene ka blerë avionë luftarakë të dorës së dytë nga Rusia dhe Bjellorusia në përpjekje për të luftuar rebelët.

Top Channel