
Kriza në Irak është përshkallëzuar gjatë së premtes, kur janë zbuluar dy varre masive dhe kur është mësuar se avionë të telekomanduar (dronë) dhe të armatosur po patrullojnë mbi qiejt e Bagdadit.
Një zyrtar i lartë amerikan ka konfirmuar për CNN se dronët amerikanë kanë nisur fluturimet mbi Bagdad gjatë 24 orëve të fundit, për t’u ofruar më shumë mbrojtje dhe asistencë 180 këshilltarëve ushtarak amerikanë të dislokuar në kryeqytetin iraken.
Deri më tani, zyrtarët amerikanë kishin thënë se të gjithë fluturimet zbuluese me dronë mbi Irak kishin qenë të paarmatosura.
Për të përdorur dronët për ndonjë sulm ajror ndaj kryengritësve të Shtetit Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL), luftëtarëve ende do t’u duhet të kërkojnë miratimin e presidentit amerikan Barack Obama.
Lajmi vjen në të njëjtën ditë, kur “Human Rights Watch” bëri të ditur se janë zbuluar 2 varre masive në vendlindjen e Saddam Hussein-it, Tikrit, të cilët besohen se mbajnë trupat e ushtarëve irakenë, policive dhe civilëve të vranë nga luftëtarët sunitë të ISIS-ISIL, si dhe militantët e tyre.
Pretendimet për barbarizëm nga të dyja palët janë rritur së tepërmi, teksa konflikti duket se po merr përmasa më të mëdha në Irak.
Më herët, gjatë së premtes, “Amnesty International” publikoi një raport, ku thuhej se ka prova, që tregojnë një mënyrë “ekzekutimi pa gjyq” të të burgosurve sunitë nga forcat qeveritare dhe milicitë shiite në qytetet veriore të Irakut, Tal Afar, Mosul dhe Baquba.
Zhvillimet e fundit vijnë pas lajmit, sipas të cilit kryeministri Nuri al-Maliki kishte deklaruar për BBC se avancimet e ISIS-ISIL do të mund të shmangeshin, nëse Iraku do të kishte mbulimin e nevojshëm ajror, në formën e avionëve luftarakë, gjë të cilën Iraku është përpjekur ta sigurojë prej Shteteve të Bashkuara prej disa kohësh.
Top Channel