Fondet e BE-së për Shqipërinë

27/06/2014 00:00

Një pjesë e mirë e fondeve të BE-së, të parashikuara për Shqipërinë gjatë 2014-s, do t’i përkushtohen inovacionit dhe modernizimit të shërbimit publik, siç tregoi ministrja Milena Harito pas takimit me drejtorin për Ballkanin, në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Jean Eric Paquet.

“Pikërisht në rastin konkret kishte të bënte me një projekt të reformës mbi Administratën, parë ky jo thjesht në kuadër të ligjit të Nëpunësi Civil, apo gjërat e diskutuara gjatë gjithë kësaj periudhe, por në kuptimin se si mund ta bëjmë këtë administratë performuese, dhe kjo ka të bëjë me shërbimet që ofron, të cilat duhet të jenë të dixhitalizuara dhe të orientuara drejt qytetarit, e jo zyrës që ofron shërbimin. Dhe kjo reformë është ajo, që do të mbështetet nga Komisioni Europian”, tha Milena Harito, ministre Shteti për Inovacionin dhe Administratën.

Ministrja Harito mori pjesë dhe në tryezën e organizuar nga Komiteti i Rajoneve mbi strategjinë adriatiko-joniane, të sapomiratuar nga Këshilli i BE-së, ku Shqipëria koordinohet me Kroacinë për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.

Praktikat e reja doganore
Drejtorët e Përgjithshëm të Doganave diskutojnë moton e re të OBT

Drejtorët e Përgjithshëm të Doganave u mblodhën në Organizatën Botërore të Tregtisë, për të diskutuar mbi praktikat më të mira dhe shkëmbimin e informacioneve mes tyre, por dhe mbi moton e re të OBT-së, që fokusohet në lehtësimin e tregtisë, sigurinë e qytetarëve dhe standardet më të mira, koncepte këto të përfshira në draftin për kodin e ri doganor, siç tregoi pas mbledhjes përfaqësuesja e Shqipërisë në këtë takim, Elisa Spiropali.

“Projekt-kodi i ri doganor, që ne kemi prezantuar në Kuvendin e Shqipërisë, dhe që aktualisht është duke u diskutuar, i adreson këto koncepte dhe e ndryshon rrënjësisht mënyrën se si dogana aplikon praktikat e veta doganore. U diskutua këtu dhe për operatorët ekonomik të autorizuar dhe procedurat e thjeshtuara, që janë pjesë e kodit të ri doganor, dhe u prit shumë mirë nga kolegët, sepse janë fjala e fundit. U diskutua gjithashtu për standardet që duhen zbatuar në të ardhmen, kryesisht modernizimi dhe informatizimi i mëtejshëm, që janë dhe dy prioritete të Doganës Shqiptare, sepse sjellin luftë më të mirë ndaj korrupsionit dhe evazionit, më shumë transparencë dhe një marrëdhënie më të drejtë mes biznesit dhe administratës doganore”, tha Elisa Spiropali, Drejtore e Përgjithshme e Doganave.

Në treyzën e Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave u bisedua dhe mbi praktikën e “sportelit të vetëm doganor”, që thjeshton procedurat për tregtarët, i cili është përfshirë në projekt-kodin e ri doganor, sipas Spiropalit.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel