Gjykata e Apelit ka shpallur fajtorë dy serbë të Kosovës, të cilët akuzoheshin për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë, duke dhunuar një 16-vjeçare shqiptare.

Të pandehurit janë dënuar me 12 dhe 10 vite burgim. Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për Jovica Dejanoviç dhe Gjorgje Bojkoviç, nga Vushtrria, të cilët në vitin 2013 ishin liruar për mungesë të fakteve si të pafajshëm, por që tani Prokuroria ka gjetur fakte të reja, përmes të cilave i ka bindur gjyqtarët, që këta të pandehur të dënohen për krimet e kryera.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, që thotë se prokurori është i kënaqur plotësisht me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, lidhur me këtë rast tepër të ndjeshëm. Sipas tyre, ky rast është demonstrim i vendosmërisë së bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit, për të gjithë ata që kryejnë krime të tilla.

Sipas njoftimit për media, që ka lëshuar EULEX-i, vendimi i shqiptuar ndaj dy të pandehurve është vendimi i parë i këtij lloji në Kosovë. Në komunikatë thuhet se është dashur shumë kurajo për të gjithë dëshmitarët e Prokurorisë, që të japin dëshmi për viktimën e dhunimit.

Gjatë gjithë procedurës, identiteti i vajzës së dhunuar ishte i mbrojtur dhe ajo u lejua të japë dëshmi në gjykim të mbyllur. Prokuroria shpreson, që ky dënim do t’i inkurajojë femrat dhe meshkujt e tjerë të guximshëm, të flasin për dhunën seksuale që kanë përjetuar gjatë luftës, pavarësisht kush ishin kryerësit e këtyre akteve të dhunës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA