Afganistani, ndryshe nga Iraku

27/06/2014 00:00

Oficeri më i vjetër i ushtrisë britanike në Afganistan deklaron se nuk beson se vendi do të ndjekë shembullin e Irakut, me luftë sektare, kur trupat ndërkombëtare të tërhiqen nga fundi i vitit.

Gjenerali John Lorimer deklaroi për BBC se rrethanat në Irak dhe Afganistan janë shumë të ndryshme. Gjeneral Lorimer, që është numri dy i misionit të NATO-s, po shërben javën e fundit të misionit të tij në Afganistan.

Ai tha se ka besimin se vendi do të jetë i sigurtë kur trupat ndërkombëtare të tërhiqen, pasi forcat vendase të sigurisë janë më të stërvitura dhe më mirë të armatosura për t’u përballur me kërcënimin e rebelëve sesa forcat irakene.

“Nuk mendoj se krahasimi mes Irakut dhe Afganistanit është me vend. Rrethanat janë të ndryshme dhe konteksti i ndryshëm”, deklaroi Lorimer, i cili saktësoi se ndryshe nga irakenët, afganët duan që trupat e NATO-s të qëndrojnë.

Gjenerali Lorimer tha se forcat afgane kanë treguar aftësi mbresëlënëse në ruajtjen e sigurisë teksa në vend u organizuan dhe u zhvilluan zgjedhjet.

“Ka ende boshllëqe në kapacitetet e tyre, por ata po punojnë për t’i mbushur ato. Edhe komuniteti ndërkombëtar po i ndihmon në këtë drejtim”, shtoi oficeri i lartë.

Faktori ndërkombëtar është zotuar se do të ndihmojë forcat afgane të sigurisë me 4 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2017, si dhe me 4 miliardë të tjera për të përforcuar sigurinë dhe stabilitetin në vend.

Top Channel