Kreu i KE, Cameron drejt dështimit

26/06/2014 00:00

Përpjekja e Britanisë për të bllokuar vendosjen e Jean Claude Juncker-it në krye të Komisionit Europian duket e destinuar të dështojë.

Shpresat e David Cameron-it u shtuan pas pajtimit të Angela Merkel-it, me hedhjen e kësaj çështjeje në votë, nëse nuk do të kishte konsensus. Por tani, si Holanda, ashtu edhe Suedia thonë se do ta mbështesin ish-kryeministrin e Luksemburgut, çka e lë praktikisht kreun e ekzekutivit pa përkrahje në nismën e tij.

Samiti i BE-së nis sot, pasi liderët e bllokut të mblidhen për të kremtuar 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore. Ceremonia do të pasohet nga një darkë pune mbi axhendën e politikave, përpara se udhëheqësit e vendeve anëtare të marrin të premten vendimin e shumëpritur mbi Presidencën e Komisionit Europian.

Në strategjinë e Cameron-it, ka dhe elementë të politikës së brendshme. Mospranimi i Juncker-it, si figurë pa shkëlqim, duket se i vjen për shtat votuesve britanikë. Por, ai lufton edhe për parimin se caktimi i ish-kryeministrit të Luksemburgut do të përbënte një hap të pakthyeshëm, i cili do të kalojë “de facto” pushtetin nga Këshilli Europian te Parlamenti i BE-së.

Përse ka rëndësi kjo? Për shkakun e thjeshtë se në përpjekjet e tij për t’i shitur publikut britanik një Europë të ndryshuar, David Cameron duhet të këmbëngulë për të kundërtën; kthimin e pushtetit te parlamentet kombëtare.

Beteja e tij kundër Juncker-it është pjesë e një lufte shumë më të gjatë për reformimin e të gjithë Bashkimit Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB