Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikon sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 8 Qershorit.

Ashtu siç dihej, Partia Demokratike e Kosovës, bashkë me partitë e koalicionit, ka dalë e para, duke fituar 30,38 përqind të votave. Lideri më i votuar është kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, me 166 mijë e 458 vota. Janë gjithsej 37 deputetë nga kjo parti, të cilët do të jenë në Kuvendin e ri të Kosovës.

Menjëherë pas Thaçit vjen ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, me 54,883 vota. Në mesin e 5 më të votuarëve të PDK-së janë edhe ministri i Jashtëm në largim, Enver Hoxhaj, Elmi Reqica dhe Hajredin Kuçi.

Për herë të parë, Kuvendi i Kosovës do të ketë për deputete një femër të mbuluar. Ajo është Labinote Demi Murtezi, e cila vjen nga Partia e Drejtësisë, që në këto zgjedhje garoi në koalicion me PDK-në. Ajo fitoi 14 mijë e 232 vota.

I dyti prej liderëve më të votuar është kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, me 121 mijë e 52 vota. LDK-ja do të dërgojë 30 deputetë në Kuvendin e Kosovës, 7 më pak se partia e parë, PDK-ja. E dyta për nga numri i votave radhitet Vjosa Osmani, me 39, 925 vota, pastaj Teuta Rugova, me 37,157 vota, dhe e fundit Doruntinë Maloku-Kastrati, me 7194 vota.

Partia e tretë është “Lëvizja Vetëvendosje” me 16 deputetë në Kuvend. Kryetari i “Vetëvendosjes” mori 63 mijë e 598. Femra më e votuar në “Vetëvendosje” është Puhie Demaku, me 15 mijë 270 vota. Pas Albin Kurtit vjen Visar Ymeri, Glauk Konjufca dhe Rexhep Selimi.

Partia e Ramush Haradinajt ka fituar 11 vende në Kuvendin e Kosovës. Lista kryesohet nga vet Haradinaj, me 50,391 vota, i dyti është i vëllai Daut Haradinaj, me 11,590 vota. Ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, është i treti më i votuar në AAK, me 8.481 vota.

“Nisma për Kosovën” e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit do të ketë 6 deputetë në Kuvend. Përveç Limajt dhe Krasniqit janë edhe Haxhi Shala Shukrie Bytyqi, Zafir Berisha, dhe Valdete Bajrami.

Edhe në këto zgjedhje nuk kanë munguar vjedhjet mes kandidatëve për deputetë. Është deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka shkruar në Facebook se rinumërimi i votave zbuloi – sipas tij – hajnat e zgjedhjeve. Rezultatet përfundimtare tregojnë se Gashi ka fituar 14 mijë e 879 vota.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA