Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten tre persona të dyshuar për terrorizëm. Personat në fjalë, dy nga Kaçaniku dhe njëri nga Hani i Elezit, dyshohen se janë të përfshirë në vepra penale si “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “rekrutim për terrorizëm” dhe “nxitje të urrejtjes etnike”.

Sipas policisë, këto arrestime kanë ardhur si rezultat i hetimeve disamujore të kryera nga Drejtoria Kundër Terrorizmit, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Operacioni policor i koduar “Goditja”, i realizuar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit, është mbështetur edhe nga njësitet e tjera policore dhe ka rezultuar me arrestimin e tre të dyshuarve”, thuhet në një njoftim për shtyp të Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, në vazhdën e hetimeve janë realizuar gjithashtu bastisje në dy lokalitete, në Kaçanik dhe në Han të Elezit, ku janë kontrolluar shtëpitë e tre personave të arrestuar.

“Gjatë bastisjes, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar pajisje elektronike, pistoleta me gaz, material propagandistik, uniforma ushtarake, pasaporta, dylbi, etj”, thuhet më tej në komunikatë.

Njësitet policore janë duke vazhduar hetimet mbi këtë rast, rreth mundësisë së përfshirjes edhe të personave të tjerë në këtë aktivitet. Ndërkohë, me vendim të prokurorit, personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA