
Shifrat e publikuara nga Kombet e Bashkuara tregojnë se përmasat e zonave të mbjella me koka, ingredienti bazë për kokainën, ka rënë në Peru dhe Bolivi.
Aktualisht Peruja është vendi i parë në botë për rritjen e kokës, ndërsa Bolivia i treti. Në Kolumbi, vendi i dytë në botë, shifrat sa u takon plantacioneve me të mbjella ka mbetur e qëndrueshme.
Por ekspertët thonë se rënia nuk do të thotë se do të ketë më pak kokainë, pasi prodhuesit janë bërë më efikasë dhe kanë nxitur prodhimin.
Peruja reduktoi përmasat e plantacioneve me koka me 17.5 për qind mes viteve 2012 dhe 2013, duke i çuar në 49 mijë e 800 hektarë. Vendi ndiqet nga afër nga Kolumbia, ku përmasat e plantacioneve të kultivuara kanë mbetur të pandryshuara në 48 mijë hektarë.
Ndërsa në Bolivi, sipas vëzhgimit të bërë nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin në bashkëpunim me qeveritë e vendeve latine, zonat e kultivuara me koka ranë me 9 për qind, në 23 mijë hektarë, që është dhe shifra më e ulët në 12 vjet.
Qeveria boliviane deklaroi se kështu ndodhet në rrugën e realizimit të planit të saj për ta çuar sipërfaqen në 20 mijë hektarë në 2015. Përpunimi i gjetheve të kokës është një traditë shekullore në Bolivi, ku përdoren si stimulantë apo barëra mjekësore.
Top Channel