
Revista ‘Foreign Policy’ ka publikuar renditjen e shteteve ku sipërmarrësit duhet të investojnë gjatë vitit 2014, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 53-të.
Sipas indeksit të fitimit bazë të ‘Foreign Policy’, vendi ynë ka përmirësuar pozicionin krahasuar me një vit më parë, kur renditej në vendin e 71-të.
Në renditjen me 112 vende, Shqipëria lë pas shtete të rajonit si Greqia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe vende të tjera. Klasifikimi, sipas revistës, bazohet në 8 faktorë që kanë të bëjnë me klimën e biznesit që ofrojnë këto vende dhe sigurinë e investimit.
Ato janë: rritja ekonomike, stabiliteti financiar, siguria fizike, korrupsioni, varësia nga qeveria, bashkëpunimi mes partnerëve lokalë, kontrolli mbi kapitalin dhe kursi i këmbimit.
Pas publikimit të këtij raporti, ka reaguar në faqen e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama. “Të dashur miq, dua të ndaj me ju këtë lajm të mirë. Në vetëm më pak se 300 ditë kemi dhënë mesazhet e sinjalet e duhura. Por ky është vetëm fillimi, nuk duhet ta harrojmë as unë as Ju”, shkruan kryeministri Rama.
Top Channel