Iraku konfirmon sulmet e Sirisë

26/06/2014 00:00

Kryeministri i Irakut ka konfirmuar për BBC sulmet ajrore të Sirisë ndaj militantëve të ISIS-ISIL brenda territorit iraken, gjatë kësaj jave.

Nouri al-Maliki tha se avionët luftarakë sirianë kanë bombarduar pozicionet e militantëve përgjatë qytetit kufitar të Qaim-it, gjatë së martës.

Edhe pse Iraku nuk kishte kërkuar këtë “ndihmë” – shtoi ai, – ne “mirëpresim” çdo sulm të tillë kundër grupit islamik të ISIS-ISIL.

Islamikët e Shtetit të Irakut dhe Levantit, si dhe aleatët e tyre sunitë, kanë pushtuar pjesë të mëdha të Irakut verior dhe perëndimor gjatë këtij muaji, përfshi edhe qytetin e dytë më të madh në vend, Mosulin.

Qeveria irakene ka vuajtur në përballimin e këtij avancimi dhe nuk ka mundur t’i zmbrapsë ata nga këto pjesë të territorit, ndërkohë që ka marrë ndihmë edhe nga Irani, me të cilin shumica shiite e Irakut ka lidhje të ngushta.

Shtetet e Bashkuara, të cilat gjithashtu mbështesin qeverinë në këtë betejë, ka theksuar se militantët mund të mposhten vetëm nga forcat irakene, pa u nevojitur ndërhyrje nga jashtë.

Maliki do të synojë formimin e një qeverie të re, si një përpjekje për të ruajtur unitetin e vendit, kur Parlamenti të mblidhet sërish këtë javë në Bagdad.

Në një tjetër zhvillim, raportimet e fundit bëjnë të ditur se një njësi e degës së Al-Kaedës në Siri, Fronti al-Nusra, është angazhuar për besnikëri ndaj ISIS në qytetin sirian të Albu Kamal, pranë kufirit me Irakun.

Deri më tani, Fronti al-Nusra ka luftuar në Siri kundër ISIS, pasi e sheh këtë degë si shkatërruese të çështjes së tij, me brutalitetin dhe ekstremizmin e treguar. Duke folur për BBC, Maliki tha se Iraku po ble avionë luftarakë rusë, të cilat priten të mbërrijnë në pak ditë, pasi SHBA-të po vononin shitjen e avionëve F16.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB