
Një gjeneral i vjetër i ushtrisë tajlandeze ka deklaruar për BBC se, grushti ushtarak i muajit të kaluar nuk ka qenë një komplot i hartuar më parë.
Deklarata vjen në një kohë kur liderja e opozitës deklaroi se ushtria e kishte planifikuar rrëzimin e qeverisë për vite me radhë.
Gjenerali Chatchalerm Chalermsukh tha gjithashtu se, personat e arrestuar që nga grushti i shtetit po trajtohen mirë në burgjet ku po mbahen.
Oficeri i lartë u shpreh më tej se ish-kryeministri në mërgim i Tajlandës, Thaksin Shinawatra dhe familja e tij mund të kthehen në vend dhe të aktivizohen në politikë.
Ushtria mori nën kontroll pushtetin në vendin e Azisë Jug-Lindore më 22 maj, me pretendimin se do të rikthente stabilitetin pas muajsh të tërë protestash socio-politike.
Ushtria ka premtuar gjithashtu një rikthim të demokracisë, por vetëm pasi të ketë kryer reformat e duhura në sistemin politik.
Por vetëm pakë eksponentë të të dy krahëve politikë besojnë se grushti i shtetit, i drejtuar nga gjenerali Prayuth Chan-ocha ka qenë neutral dhe se ushtria vetë nuk e kishte planifikuar atë më parë, raporton korrespondenti i BBC.
Megjithatë, ushtria e trajton atë si një ndërhyrje të minutës së fundit, të detyruar nga rrethanat, pasi çdo grusht shteti që ka ndodhur në Tajlandë ka qenë për shkaqe tradhtie, krim i dënuar me vdekje.
Top Channel