Familjarët e personave të pagjetur kërkojnë nga OKB-ja t’i bëjë trysni shtetit serb për gjetjen e personave të zhdukur të Kosovës.

Një  delegacion i OKB-së për këtë çështje po qëndron në Kosovë me këtë rast përfaqësuesit e personave të pagjetur në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkuan nga faktori ndërkombëtar që Serbinë ta detyrojë të tregojë se ku gjenden varrezat masive. Deri më tani në Rashkë të Serbisë janë gjetur 50 trupa në varrezat masive ndërsa punimet vazhdojnë.

“Tani atje punohet. Për numrin e gjetjeve ende nuk mund të japim fjalën përfundimtare. Normalisht se hasja në mbetje të para njerëzore, ka ndodhur në fund të vitit të kaluar, përkatësisht me 13 dhjetor. Atje ka edhe disa zona të cilat duhet të verifikohen. Por kjo na jep të kuptojmë se në hapësirën e Serbisë, ende ka varreza masive. Prandaj kërkojmë një trysni më të madhe nga faktori ndërkombëtar, që Serbinë ta detyrojë të tregoj se ku gjenden varrezat masive, me faktin se ende kemi shumë të zhdukur”, tha Prenkë Gjetaj, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Gjetaj foli dhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke pohuar se janë të pakënaqur me atë që është arritur sa i përket personave të zhdukur. Ndërsa kërkon shtim të përgjegjësisë, në veçanti ndaj atyre që kanë bërë krime.

“Shkëmbehen informacione reciproke, mirëpo ende nuk jemi të kënaqur, sepse nuk kemi arritur të informohemi, për të gjitha vendet e dyshuara në hapësirën e Serbisë, si varreza masive edhe pse ka kërkesa të drejtpërdrejta. Shqetësim është në përgjithësi, çështja e përgjegjësisë. Për faktin se i ikin përgjegjësisë. Pa marrë parasysh çdo krim duhet të gjykohet dhe dënohet dhe do të ishte i vetmi satisfaksion, për ata që kanë të zhdukur. Për ata që kanë pësuar në luftë, si pasojë e luftës, por do të ishte mesazh që askush nuk mund t’i ik drejtësisë“, shtoi Gjetaj.

Grupi punues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjatë qëndrimit në Kosovë u takuan edhe me presidenten Jahjaga. Presidentja kosovare ritheksoi se domosdoshmërinë që sa më parë të zbardhet fati i të pagjeturve, i cili do të vendoste edhe paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit.

Ekspertët do ta vizitojnë edhe Graçanicën dhe Rezallën komuna e Skënderajt një vend ku janë kryer masakra të mëdha gjatë luftës nga ku mungojnë rreth 1 mijë e 700 qytetar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA