Pas atij që u duk si sukses i John Kerry-t për të bindur grupet kundërshtare në Irak mbi nevojën e krijimit të një qeverie uniteti, nisma e kreut të diplomacisë amerikane hasi në një pengesë të papritur. Kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki refuzoi ekzekutivin gjithëpërfshirës si mënyrën për të frenuar përparimin deri më tani të pandalshëm të militantëve të ISIS.
“Një qeveri e shpëtimit kombëtar përbën puç ndaj Kushtetutës dhe procesit politik. Prapa kërkesave te tilla qëndrojnë qëllime të rrezikshme. Me një qeveri uniteti do të groposej procesi demokratik në Irak e do të vidheshin votat e popullit”, tha Nuri al-Maliki.
Të martën shenjat dukeshin pozitive. Pas presionit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, kampet e armiqësuara të politikanëve në vend u duk se ranë dakord më shpejt se ishte menduar, për riformimin e qeverisë së re. Kerry pas bisedimeve me grupet e armiqësuara të shiitëve, sunitëve dhe kurdëve bëri të ditur se Parlamenti i Irakut do të fillonte që të martën e ardhshme me krijimin e qeverisë së re. Fillimisht duhet të zgjidheshin kreu i parlamentit, më pas presidenti dhe kryeministri i vendit, ndërsa fati i al-Malikit mbetej i paqartë.
Zhvillimet në rrafshin politik vijnë në një kohë kur ISIS vazhdon marshimin drejt Bagdadit pas vënies nën kontroll të një sërë territoreve veriore e perëndimore të Irakut. Në vazhdën e marrjes së rafinerisë më të madhe të naftës në vend, asaj të Baixhit, rebelët mësynë bazën e rëndësishme ajrore të Al Bakr-it, në veri të kryeqytetit.
Mes situatës që sa vjen e përshkallëzohet, trupat e para amerikane të dislokuara me premtimin t’u vijnë në ndihmë forcave vendase të sigurisë, mbërriten atje e kanë nisur menjëherë nga puna. Gati gjysma e ushtarëve të specializuar që Barak Obama u zotua të angazhonte për këtë qëllim ndodhen në Bagdad, të tjerë në vijat e para të luftimit. Pjesa e mbetur pritet të mbërrije brenda pak ditësh.
Administrata Obama vazhdon të theksojë se këto trupa nuk janë forca operacionale, por ndodhen në Irak vetëm si këshilltare ushtarake e do të ndihmojnë gjithashtu edhe me informacione të kundërzbulimit.
Top Channel