Në Ukrainë s’ka armëpushim

25/06/2014 00:00

Pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak, të martën, në Lindje të vendit, të dy palët në konfliktin ukrainas e kanë vënë në dyshim armëpushimin njëjavor të sapo hyrë në fuqi.

Për një prej liderëve separatistë armëpushim nuk ka pasur ndonjëherë, ndërsa presidenti Petro Poroshenko paralajmëroi se, me të tilla shkelje, mund t’i japë fund vërtet nismës së tij.

Luftime të reja shpërthyen gjatë natës mes rebelëve dhe trupave të Kievit, në afërsi të kufirit me Rusinë, në Luhansk. Kryengritësit e pranuan të hënën armëpushimin e propozuar nga Poroshenko, që zgjat deri të premten.

Por, një ditë më parë, ushtria ukrainase njoftoi se mbështetësit e Moskës kishin rrëzuar një helikopter Mi-8 pranë qytetit të Slovianskut, duke vrarë të 9 personat në bord. Sipas krerëve ushtarakë ukrainas, që prej fillimit të armëpushimit, rebelët e kanë shkelur atë plot 44 herë.

NATO-ja, ndërkohë, e akuzoi Rusinë për mosrespektim të “angazhimeve ndërkombëtare”. Përmes një deklarate, numri 1 i aleancës, Anders Fogh Rasmussen, pohoi se Moska po përdor një lloj të ri luftimi ndaj shtetit fqinj, e u premtoi ndër të tjera një paketë afatgjate masash ndihmëse për Kievin, përfshirë këtu krijimin e fondeve të reja të garancive.

Rusia vazhdon t’i mohojë pretendimet e Ukrainës dhe Perëndimit, se inkurajon rebelët e i furnizon me armë. Armëpushimi është pjesë e planit të Kievit për t’i dhënë fund luftimeve mbi 2-mujore në rajonet lindore të vendit. Që prej fillimit të trazirave në këto zona, nga mesi i Prillit, llogaritet të kenë humbur jetën më shumë se 420 persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB