
Ministria e Financave njofton se ka shlyer mbi 80 për qind të detyrimeve të prapambetura që janë parashikuar të likuidohen me buxhetin e këtij viti.
Përmes një njoftimi zyrtar ministria bën të ditur se, deri pak ditë më parë janë paguar nga buxheti 287 milionë dollarë amerikanë, borxhe të vjetra që shteti ka ndaj privatëve.
Nga këto, 84 milionë dollarë janë paguar për kompanitë që kanë kryer investime publike, 61 milionë të tjera për fatura korente të pashlyera dhe pjesa tjetër si TVSH e rimbursuar dhe detyrime të sektorit energjitik.
Veç shumës prej 287 milionë dollarë të paguara këtë vit, qeveria thotë se ka shlyer edhe 50 milionë të tjera në dhjetorin e vitit të kaluar, duke e çuar faturën totale të detyrimeve të prapambetura që janë likuiduar në 337 milionë dollarë. Kjo është sa 2.4 për qind e prodhimit kombëtar.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Financat e kanë vendosur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në prioritetin kryesor të buxhetit, duke destinuar për këtë zë shumicën e fondeve të lira publike.
Ndryshe nga investimet publike të cilat janë me rënie të fortë krahasuar me një vit më parë, shlyerja e borxheve të prapambetura ka ecur me ritme të shpejta dhe qeveria duket se kërkon ta përshpejtojë edhe më shumë procesin.
Ministria e Financave u ka bërë sërish thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve private të verifikojnë listat e detyrimeve të çelura dhe nëse janë pjesë e tyre të paraqiten pranë institucioneve përkatëse me të cilin kanë marrëveshjen kontraktuale për të marrë pagesën.
Në total, sipas qeverisë, borxhet e prapambetura që shteti ka ndaj privatëve arrijnë në mbi 720 milionë dollarë, të cilat janë planifkuar të shlyhen për tre vjet.
Top Channel