Qeveria e Kosovës ka përgëzuar institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kryeministri Hashim Thaçi e ka hapur mbledhjen e Qeverisë duke shprehur optimizmin se avancimi i Shqipërisë drejt integrimit në BE është inkurajim edhe për Kosovën që të vazhdojë hapat drejt anëtarësimit.

“Më lejoni që në fillim të shfrytëzoj rastin dhe të përgëzoj Republikën e Shqipërisë, kryeministrin Rama dhe gjithë spektrin politik dhe shoqëror të Shqipërisë e cila nga dje është kandidate për anëtarësim në Bashkim Europian. Pa dyshim ky është lajm shumë i mirë, lajmi më i mirë i mundshëm për Shqipërinë, për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët”, tha Thaçi.

Kreu i qeverisë kosovare ka thënë se edhe Kosova mbetet e përkushtuar për të përparuar sa më shpejt drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Edhe Kosova, si një shtet i ri, i mundësive të mëdha, i njohur nga 106 shtete mbetet e përkushtuar që të punojë drejt përmbushjes së standardeve euro-atlantike, që të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe Bashkimin Europian”, deklaroi Kryeministri.

Thaçi ka thënë se aspiratë dhe vizion i vetëm i Kosovës është integrimi dhe statusi i dhënë të martën Shqipërisë, sipas tij është një inkurajim shtesë në këtë rrugë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA