Pas takimeve intensive, John Kerry arriti t’i bindë grupet kundërshtare në Irak për krijimin e një qeverie uniteti. Pas presionit të kreut të diplomacisë amerikane, kampet e armiqësuara të politikanëve vendas ranë dakord, më shumë nga sa ishte menduar, për reformimin e ekzekutivit.
Në përfundim të bisedimeve me përfaqësuesit e tyre, Kerry bëri të ditur se Parlamenti i Irakut do të nisë punë që të martën e ardhshme, me krijimin e qeverisë së re.
Fillimisht duhet të zgjidhen kreu i Parlamentit, më pas Presidenti dhe Kryeministri i vendit. Fati politik i kryemininistrit aktual, Nuri al-Maliki, mbetet i paqartë. Shumë politikanë vendas kërkojnë dorëheqjen e tij, por Kerry nuk i komentoi këto kërkesa.
Sipas një diplomati amerikan, të cituar nga mediat botërore, kurdët duan të kenë sërish postin e Presidentit, shiitët kryeministrin, ndërsa sunitët kreun e Parlamentit dhe postin e zëvendës/presidentit. Por, deri më tani, palët nuk kanë rënë të gjitha dakord për kandidatët.
Zhvillimet në rrafshin politik vijnë në një kohë kur ISIS vazhdon marshimin drejt Bagdadit, pas vënies nën kontroll të një sërë territoreve veriore e perëndimore të Irakut. Pas marrjes së rafinerisë më të madhe të naftës në vend, asaj të Baiji-t, rebelët mësynë bazën e rëndësishme ajrore të Al Bakr-it, në veri të kryeqytetit.
Mes situatës që sa vjen e përshkallëzohet, trupat e para amerikane, të dislokuara me premtimin t’u vijnë në ndihmë forcave vendase të sigurisë, mbërritën atje e kanë nisur menjëherë nga puna. Gati gjysma e ushtarëve të specializuar, që Barack Obama u zotua të angazhonte për këtë qëllim, ndodhen një pjesë në Bagdad, të tjerë në vijat e para të luftimit.
Pjesa e mbetur pritet të mbërrije brenda pak ditësh. Administrata Obama vazhdon të theksojë se këto trupa nuk janë forca operacionale, por ndodhen në Irak vetëm si këshilltarë ushtarakë e do të ndihmojnë gjithashtu edhe me informacione të kundërzbulimit.
Qeveria irakene ka kërkuar ndërhyrjen ajrore të amerikanëve, por Obama ka hezituar të ndërmarrë hapa, të cilat do të çonin në akuzimin e SHBA-ve se po mbajnë krahun e një pale në konfliktin sektar.
Që prej kryengritjes së islamikëve të Shtetit të Irakut dhe Levantit, rreth 1075 jetë njerëzish kanë humbur, shumica e të cilëve civilë, vetëm gjatë muajit Qershor.
Top Channel