Ushtria ukrainase ka bërë të ditur se një prej helikopterëve të saj është qëlluar dhe është rrëzuar nga rebelët pro-rusë në Lindje të vendit, duke lënë të vdekur 9 personat në bord.
Sipas saj, helikopteri Mi-8, i cili përdorej për transportimin e ngarkesave ushtarake, është qëlluar nga një raketë, vetëm pak pasi ishte ngritur në rrethinat periferike të qytetit të Slovianskut, të kontrolluar prej rebelëve.
Ngjarja shënohet 1 ditë pasi rebelët u zotuan se do të respektonin armëpushimin deri të premten, në përgjigje të planit të paqes të ofruar nga qeveria. Por, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se paqja njëjavore nuk është e mjaftueshme.
Vladimir Putin deklaroi se ajo duhej zgjatur në kohë, në përpjekje për të zhvilluar “bisedime substanciale” mes qeverisë ukrainase dhe separatistëve.
Rebelët nuk kanë dhënë ende ndonjë koment mbi pretendimet e ushtrisë ukrainase. Në të kaluarën e afërt, rebelët, të cilët janë ende nën kontrollin e qyteteve të shumta në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, kanë qëlluar të paktën 2 helikopterë të ushtrisë ukrainase, si dhe një aeroplan, duke shkaktuar me dhjetra viktima.
Top Channel