
Shqipëria zyrtarisht është vend kandidat i Bashkimit Europian. 28 vendet anëtarë të Unionit i thanë “PO” rekomandimit të Komisionit Europian për t’i dhënë statusin vendit tonë.
Rezultati pozitiv u paralajmërua nga një sërë ministrash të Jashtëm të vendeve të BE-së teksa hynin për të marrë vendimin për Shqipërinë.
Menjëherë nga vendimarrja në Luksemburg, komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Europian, përveç se në gjuhën angleze, me një shqipe të shkruar pastër ka uruar të gjithë shqiptarët në profilin e tij në Twitter.
“Urime për statusin e kandidatit, miratuar nga Ministrat, njohje e përpjekjeve për reforma, nxitje për më shumë”, shkruan Fyle.
Konkluzionet e Këshillit Europian për Shqipërinë gjithashtu theksojnë se vendimi pro statusit u mor pas konstatimit të progresit të vazhdueshem në vendin tonë.
Por kjo fazë e re në rrugën integruese të Shqipërisë, për Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, shoqërohet me një sërë rekomandimesh dhe detyrimesh për Shqipërinë.
Pika dy e konkluzioneve i mëshon përmbushjes së rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian, të cilat renditen:
Reforma në administratën publike; reforma në gjyqësor; lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve; zbatimi i së drejtës së autorit.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, në pikën e nxitjes së luftës kundër korrupsionit detajojnë një nga çështjet më të ndjeshme në Shqipëri që lidhet me gjyqësorin, kur kërkohet:
Hetime, ndjekje penale dhe dënime për rastet e: korrupsionit, krimit të organizuar, emigracionin e organizuar, përdorimin e dokumentave të falsifikuara, pastrimit të parave, kultivimit të lëndëve narkotike, trafikun e qënieve njerëzore.
“Është e rëndësishme për Shqipërinë të tregojë rritje të transparencës dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit, përfshirë garantimin e një sigurie më të madhe juridike për operatorët ekonomikë dhe rritjes së besimit të tyre”, thekson Këshilli Europian.
Gjithashtu, Këshilli pret nga Shqipëria që të përforcojë përpjekjet për reduktimin e emigracionit të paligjshëm në vendet e BE-së, duke përmbushur detyrimin që vjen nga kushtet e marrëveshjes për liberalizimin e vizave, si dhe pret marrjen e një sërë hapash për t’i dhënë zgjidhje kërkimit të padrejtë të azilit nga shtetasit shqiptarë.
Bazuar në udhërrëfyesin për Shqipërinë, Këshilli nxit Komisionin që të forcojë mbështetjen por edhe monitorimin dhe vlerësimin për procesin e reformave.
“Fokusi duhet të jetë sigurimi i rezultateve konkrete në të gjitha çështjet e mësipërme, bazuar në objektiva të besueshëm dhe të matshëm, në afate kohore dhe statistika”, thonë 28 ministrat e Jashtëm të BE-së.
Në konkluzionet e Këshillit, e vetmja çështje që Shqipëria nxitet të ruajë si të tillë është politika e saj e jashtme, si angazhimi konstruktiv në bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe qasja e njëjtë me politikën e jashtme të BE-së.
Ashtu si edhe në rekomandimet e mëparshme, edhe në këto konkluzione që shoqërojnë aprovimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, Keshilli Europian e mbyll me ripërsëritjen e mesazhit të dialogut qeveri-opozitë për reformat integruese që do ta avancojnë Shqipërinë në rrugën europiane.
Fyle: Shqipëria, një hap më pranë BE-së
Plotësim i prioriteteve kyçe dhe pastaj negociatat e anëtarësimit
BE vendosi t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, që do të konfirmohet të premten. Të gjitha vendet, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, morën pjesë në seancën 40 minuta të Këshillit, pasi drafti i prezantuar nga Presidenca Greke në mëngjes kënaqte shqetësimet e vendeve hezituese.
“ishte e vështirë deri ditën e sotme, por flaë Presidencës Greke, kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë. Shqipëria sot është një hap më pranë BE-së”, deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle në konferencën e përbashkët për shtyp me zv/ministrin grek për Çështjet Evropiane, Dimitris Kourkoulas.
Të pyetur nëse është zgjerimi prioritet i Bashkimit Evropian në 5 vitet e ardhshme, zyrtari grek dha këtë përgjigje:
“Kur flasim për dhënien e statusit është e qartë se hapi tjetër është hapja e negociatave. Nuk ka asnjë vullnet politik për të hequr kuptimin e kësaj. Afati kohor nga tani deri në nisjen e negociatave varet nga aftësitë e vendit kandidat për të përmbushur kushtet. Kur Këshilli të miratojë strategjinë 5-vjeçare të BE, zgjerimi do të jetë prioritet, sikurse ka qenë deri më sot një prej politikave më të suksesshme”, deklaroi Kourkoulas.
“Këtu nuk ka lojra fajlësh. Ajo që është e rëndësishme është se konkluzionet e dhjetorit qëndrojnë. Ato tregojnë cilat janë hapat e radhës deri në hapjen e negociatave dhe mbi to u dha dhe statusi. Në këtë histori zgjerimi janë dy politika të ndërlidhura: thellimi i integrimit dhe zgjerimi me vendet e reja. Këto politika ecin paralelisht dhe pa to vështirë se BE do të mund të ecë mirë. Së treti, sa i takon nisjes së negociatave gjatë sesionit të ardhshëm, vullneti i KE për ta ndihmuar Shqipërinë do mbetet aty. Pyetja e vetme mbetet mbi gatishmërinë dhe vullnetin politik të Shqipërisë për të përmbushur kushtet, sepse nëse ky është rast, atëherë përgjigjia ndaj pyetjes tuaj është pozitive”, u përgjigj nga ana tjetër Fyle.
Konkluzionet e Këshilit kënaqën edhe çekët, të shqetësuar për shkak të CEZ, pasi rekomandimi kërkon që Shqipëria të rrisë zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e investitorëve.
Venizellos: Shqipëria e meritoi
Ministri i Jashtëm grek paralajmëron vendimin unanim për statusin
Vendimin për statusin e paralajmëroi në hyrje të mbledhjes së ministrave të jashtëm kreu i diplomacisë greke, Evangellos Venizellos.
Duke folur në cilësinë e vendit që mban presidencën e BE-së, Venizellos deklaroi se Shqipëria e meritonte marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Statusi është me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor, stabilitetin dhe të ardhmen euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë”, tha Venizellos.
Top Channel