Obama paralajmëron Putinin

24/06/2014 00:00

Tepër i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij, Barak Obama i kërkoi hapur homologut Vladimir Putin të ndalojë dërgimin e armëve në Ukrainë e t’i japë fund mbështetjes për separatistët.

Nga sa shpjegoi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, në telefonatën me shefin e Kremlinit, presidenti amerikan paralajmeroi hapur se po nuk veproi edhe këtë radhë, Moska do të përballet me sanksione të reja edhe më të rrepta.

“Presidenti foli në telefon me zotin Putin, të cilit i kërkoi edhe një herë të mbështesë paqen në vend që të lejojë kalimin e armëve dhe materialeve të tjera ushtarake përtej kufirit, si dhe të heqë dorë nga përkrahja e vazhdueshme për militantët e separatistët që po destabilizojnë gjithmonë e më shumë Ukrainën. Rusia do të përballet me kosto shtesë nëse nuk shohim veprime konkrete për çtensionimin e situatës”, tha Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Në një linjë me Uashingtonin është edhe BE-ja. Bashkimi Europian pret që Rusia të mos e destabilizojë më tej Ukrainën dhe të mbështesë planin e paqes së presidentit të porsazgjedhur Petro Poroshenko, ky ishte mesazhi i ministrave të Jashtëm të bllokut të mbledhur në Luksemburg. Nëse Moska nuk tregohet e gatshme të bashkëpunojë, krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së mund të vendosin sanksione ekonomike ndaj Rusisë në takimin që do të zhvillojnë në Bruksel këtë të premte.

Presidenca ruse nga ana e saj sqaroi se Putini kërkoi bisedime të drejtpërdrejta mes Kievit dhe rebelëve në rajonet lindore, të cilëve mohon t’u ketë dërguar armë. Këta të fundit e pranuan të hënën armëpushimin 1-javor të Poroshenkos. Alexander Borodai njoftoi marrëveshjen në Donetsk, ndërsa rebelët iu bashkuan negociatorëve rusë dhe atyre ukrainas në negociatat që kanë për qëllim fundin e krizës në republikën ish-sovjetike.

Ukraina u përfaqësua në këto bisedime nga ish-presidenti Leonid Kuchma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB