“Duma të revokojë rezolutën e 1 Marsit”

24/06/2014 00:00

Presidenti Vladimir Putin i ka kërkuar Dhomës së Lartë të Dumës ruse, gjatë së martës, të revokojë të drejtën e dhënë ndaj tij për të urdhëruar një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë, në mbrojtje të rusisht-folësve atje, njoftoi Kremlini përmes një deklarate.

Një hap, i cili me siguri do të mirëpritet nga Perëndimi, si një shenjë e gatishmërisë së Moskës për të ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje për Lindjen e Ukrainës, e cila dominohet në shumicë nga rusisht-folës, aty ku dhe nisën trazirat kundër Kievit që prej muajit Prill.

Zëdhënësi i Putin tha se lëvizja e liderit të Kremlinit synon të ndihmojë në mbajtjen e bisedimeve të paqëndrueshme të paqes, që nisën të hënën, për t’i dhënë fund konfliktit.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko e quajti këtë lëvizje “si një hap të parë praktik”, pas deklaratës së Putin gjatë fundjavës, në mbështetje të planit të paqes së shpallur nga Poroshenko për lindjen e Ukrainës.

Shefi i stafit të Putin, Sergei Ivanov, tha se Rusia pret tashmë që Kievi të përgjigjet me masa të ndërmarra prej tyre, por pa specifikuar se të çfarë tipi duhet të jenë ato. Në rezolutën e 1 Marsit, Këshilli i Federatës Ruse i kishte dhënë Putin-it të drejtën “për të përdorur Forcat e Armatosura ruse në territorin e Ukrainës, deri sa situata politike dhe sociale në atë vend të normalizohej”.

Ajo rezolutë, së bashku me aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, një ish-territor ukrainas me dalje në Detin e Zi, bënë që marrëdhëniet Lindje-Perëndim të kapnin nivelet më të ulta që prej Luftës së Ftohtë, si dhe bënë që Shtetet e Bashkuara dhe Europa të vendosnin sanksione ndaj Moskës.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian mbajtën gjatë së hënës ende në fuqi perspektivën e sanksioneve të tjera më të ashpra, nëse Rusia nuk do të bënte më shumë përpjekje për të mbështetur procesin e paqes në Ukrainën Lindore, si dhe kërkuan nga Moska të revokonte rezolutën e 1 Marsit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB