Braçe: Të çmontohen monopolet

24/06/2014 00:00

Kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë, Erjon Braçe i ka kërkuar qeverisë që të veprojë për të çmontuar konçesionin e skanimit në dogana, sipas rekomandimeve nga Autoriteti i Konkurrencës.

“Ajo që AK sjell në vëmendje, me kërkesë të komisionit dhe komunitetit të biznesit, ka të bëjë me një ndarje të qartë mes shërbimit publik dhe tregut. Për shërbimin publik AK kërkon të vijohet ta mbajë shteti. Ky është një shqetësim mbi të cilin nuk është reflektuar”, deklaroi Braçe.

Por skanimi në dogana, sipas tij, nuk është konçesioni i vetëm i paligjshëm që shkel Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizm Asociimit, duke rënduar sipërmarrjen. Braçe thotë se janë dhe dy kontrata të tjera që duhet të ndryshohen duke përdorur Kodin e ri Doganor.

“Është konçesioni i markimit të karburanteve, i të njëjtës natyrë, në të njëjtat parametra në kundërshtim me ligjin dhe MSA. Ashtu sikurse me pullat fiskale. Me këtë kod ne duhet t’u japim zgjidhje këtyre dy problemeve, me referencë edhe të Autoritetit të Konkurrencës”, theksoi Braçe.

Kreu i komisionit parlamentar të ekonomisë ka cekur edhe çështjen e referencave duke i kërkuar Ministrisë së Financave të shikojë hapësirat në kod për kufizimin maksimal të tyre, pasi sipas tij ato janë përdorur si instrumenta korruptive ndaj sipërmarrjes private.

Top Channel