Privatizimi i dështuar dhe konflikti me kompaninë çeke CEZ do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë 95 milionë euro në 5 vitet e ardhshme. Qeveria njoftoi se ka rënë dakord të zgjidhë me mirëkuptim përplasjen me grupin çek duke bërë publike dhe termat e marrëveshjes.

“Transferimin e menjëhershëm të aksioneve në favor të shtetit shqiptar, të 76 përqind të aksioneve të cilat zotëroheshin nga CEZ  a.s. Pala çeke heq dorë nga kërimi i vlerës prej 103 milion euro të paguara për blerjen e aksioneve në vitin 2009 si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar. Shoqëria e re e shpërndarjes së energjisë, e kontrolluar tashmë nga shteti, merr përsipër që t’i paguajë kompanisë çeke një vlerë prej 87.1 milion euro. Kjo vlerë u dakortësua të paguhet me këste deri në vitin 2018, me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milion euro”, deklaroi Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri.

“Të gjitha këto së bashku bëjnë 95 milion euro, të cilat do të shlyhen vit pas viti nga kompania CEZ dhe jo nga buxheti i shtetit”, sqaroi Ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
 
CEZ i pagoi qeverisë shqiptare 103 milionë euro në vitin 2009 për të blerë kompaninë e shpërndarjes. Eksperimenti me privatizimin zgjati katër vjet dhe pas dëbimit në janar të 2013 nga qeveria e mëparshme, kompania çeke e paditi Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazh duke kërkuar 200 milionë euro. Me ardhjen e qeverisë së re në dhjetor nisën negociatat për zgjidhje me mirëkuptim, që janë ndërmjetësuar nga Sekratariati i Komunitetit të Energjisë.

“Zgjidhja përfundimtare e konfliktit me CEZ, jo vetëm që qartëson statusin juridik të shoqërisë, por përfundimisht i hap rrugë investimeve në sektorin e shpërndarjes i lënë në kolaps për shkak të keqmanaxhimit dhe mungesë së investimeve”, shtoi Ministri Gjiknuri.

Por cila është arsyeja që Shqipëria erdhi në këtë pikë? Për qeverinë ka vetëm një emër.

“Sali Berisha, i cili dhe qeveria e të cilit e la të gjithë sistemin energjitik në kolaps, në gati në falimentim të plotë me borxhe gati 1.1 miliard dhe pikërisht la Operatorin e Shpërndarjes në gjendje financiare të falimentuar dhe e la çështjen edhe juridike në dizavantazh të shtetit shqiptar me qëllim”, u përgjigj Ministri i Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

“Përtej deklaratave publike, asgjë më tepër ish-qeverisja nuk e bëri, as vlerësimin teknik, as vlerësimin financiar. U soll si pronare, përdori policinë, por ndërkohë po përkeqësonte pozitat juridike të Shqipërisë”, u shpreh Gjiknuri.

Damian Gjiknuri thotë se në këto kushte zgjidhja më mirëkuptim ishte opsioni më i mirë për interesat kombëtare të vendit.

“Mbajtja e status quo-së deri sa të zgjidhej në Arbitrazh përbënte një opsion të rrezikshëm, pasi në këtë gjendje që është shoqëria duke akumuluar humbje deri në 150 mln euro në vit, sektori energjitik do të vazhdonte ta çonte vendin dhe buxhetin e shtetit drejt një kolapsi financiar”, deklaroi Gjiknuri.

Sipas qeverisë zgjidhja e konfliktit me CEZ i hap rrugë reformimit të sektorit dhe investimeve, të cilat deri më tani kanë qenë të bllokuara pikërisht për shkak të gjyqit me kompaninë çeke.

Zgjidhja e konfliktit me grupin çek vjen pikërisht në ditën kur Bashkimi Europian vendosi për dhënien e statusit kandidat të Shqipërisë, për të cilin mediat çeke kishin paralajmëruar se Praga do të vendoste veton, edhe pse zyrtarisht qeveritë e dy vendeve e mohojnë që marrëveshja të ketë lidhje me statusin.

CEZ, reagon Sekretariati i Energjisë
“Marrëveshja ishte e suksesshme, në interes të Shqipërisë dhe konsumatorëve”

Pas zgjidhjes së konfliktit me CEZ, ka reaguar edhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, si institucioni që ka ndërmjetësuar negociatat mes kompanisë çeke dhe qeverisë.

Përmes një deklarate zyrtare, zëvendës/drejtori i Sekretariatit, Dirk Bushle, e ka quajtur marrëveshjen si veprimin më logjik të mundshëm.

“Jam plotësisht i bindur, se fillimi dhe përfundimi i këtyre negociatave bëhet për mbrojtjen e interesave më të mira të Shqipërisë dhe konsumatorëve të saj të energjisë elektrike”, – është shprehur Bushle.

Sipas tij, vitet e neglizhencës në sektorin energjitik e kanë lënë sektorin shqiptar të energjisë në një pozitë shumë të vështirë, me pjesë të konsiderueshme energjie elektrike të papaguar, kompanitë shtetërore me vështirësi serioze financiare dhe me besim shumë të ulët nga investitorët.

Në një situatë të tillë, – ka deklaruar numri dy i Sekretariatit, – zgjidhja e konfliktit me CEZ është veprimi më i logjikshëm i mundshëm, pasi procedurat e kushtueshme të Arbitrazhit, me një rezultat të paqartë, do të kishin krijuar një periudhë të gjatë pasigurie dhe paqëndrueshmërie.

Madje, sipas tij, kjo do të parandalonte reformat shumë urgjente e të nevojshme. Ai do ta kishte mbajtur peng të gjithë sektorin energjitik dhe do të kishte krijuar probleme, shumë herë më të mëdha se ato që u zgjidhën nga marrëveshja e djeshme.

Zëvendës/drejtori thotë se për këto arsye, Komuniteti i Energjisë i ka mbështetur aktivisht negociatat gjatë këtyre gjashtë muajve, pasi investitorët privatë dhe institucionet publike, gjithashtu do të ishin më ngurrues për t’i dhënë mbështetje një vendi, me këto vështirësi të pambyllura financiare dhe ligjore.

Në përfundim të deklaratës, Bushle thekson se Sekretariati do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë përgjatë reformave të ardhshme, si dhe është i lumtur që, me përfundimin e këtyre negociatave, qeveria shqiptare ka vendosur interesat afatgjatë të vendit, përpara dëshirave afatshkurtra për konfrontime ligjore.

Top Channel