Zbardhet pas 105 vjetësh vrasja e detektivit

23/06/2014 00:00

Pas më shumë se një shekull është zbuluar vrasësi i detektivit amerikan Joe Petrosino, i cili u ekzekutua në fillimet e 1900-ës në Palermo të Siçilisë.

Zbardhja e vrasjes është bërë e mundur nga policia italiane, e cila po përgjonte bisedën e një mafiozi, i cili tregonte për “bëmat” e parardhësve të tij.

Bosi Domenico Palazzotto teksa dialogonte me një mikun e tij, shprehej krenar për traditat qindravjeçare të mafias lokale dhe familjes së tij.

“Xhaxhai i babait tim, Paolo Palazzotto, kreu vrasjen e policit të parë në Palermo. Ai vrau Joe Petrsino për llogari të Cascio Ferro (një bos i hershëm i mafias)”, thoshte Palazzotto.

Ai nuk e dinte që po përgjohej dhe në fakt përgjimi i policisë kishte qëllime të tjera, konkretisht zbardhjen e aktiviteteve të sotme kriminale të mafias.

Falë këtyre përgjimeve u arrestuan 95 veta, ndërkohë që rrëfimi për ngjarjen e një shekulli më parë ishte një lloj bonusi për forcat e rendit.

Joe Petrosino u vra në orën 20:45 të 12 marsit 1909 në një shesh të Palermos, pasi u qëllua me tre plumba, nga vrasësi që ishte fshehur mes një grupi personash që prisnin ardhjen e një autobusi.

Me origjinë italiane, ai kishte mbërritur në Siçili nga Shtetet e Bashkuara për të hetuar mbi mafien e atëhershme italo-amerikane, që në atë kohë njihej si Dora e Zezë.

Edhe sot figura e Petrosino konsiderohet një simbol i drejtësisë, për shkak të vendosmërisë me të cilën ai iu kundërvu krimit të organizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB