Ukrainë, separatistët ulin armët

23/06/2014 00:00

Separatistët pro-rusë në Lindje të Ukrainës pranojnë armëpushimin e njëanëshëm të njoftuar fundjavën e kaluar nga Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, por refuzojnë të dorëzojnë armët pa largimin e ushtrisë ukrainase nga rajonet lindore.

Kreu i lëvizjes separatiste të të vetëshpallurës “Republika Popullore e Donetskut”, Alexander Boroday tha se rebelët do të ulin armët deri më 27 qershor për t’u dhënë kohë bisedimeve mes dy palëve.

“Armëpushimi do të nisë menjëherë dhe do të zgjasë deri në orën 10:00 (me orën lokale) të datës 27 qershor”, deklaroi Boroday.

Deklarata e tij u bë pas një takimi paraprak në qytetin e Donetskut të zyrtarëve të Kievit dhe përfaqësuesve pro-rusë për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për bisedime.

Të premten, presidenti Poroshenko njoftoi armëpushimin e njëanëshëm të ushtrisë ukrainase dhe një plan paqeje prej 15 pikash. Ai tha se ulja e armëve nga ana e ushtrisë ukrainase nuk nënkuptonte se nuk do të kishte reagim në rast sulmi nga ana e separatistëve.

Plani i propozuar nga Kievi përmban decentralizim të thellë në rajonet lindore, zhvillimi i zgjedhjeve të reja në këto rajone dhe krijimi i një zone sigurie prej 10 kilometrash gjërësi përgjatë kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB