Franca dhe Gjermania i bënë sërish thirrje Rusisë, që të angazhohet për negociata mes palëve të konfliktit në Ukrainë. Por, në rajon nuk duket se janë shumë të interesuar për bisedime.
Nga pallati “Elysse” u bë e ditur, të dielën, se presidenti francez François Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, patën telefonata me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin.
Parisi dhe Berlini kërkuan nga palët e konfliktit, që veprimet kundër njëri-tjetrit të marrin fund, e njëkohësisht tërhoqën vëmendjen te rëndësia e kontrolleve në kufirin e Ukrainës me Rusinë, për të penguar depërtimin e njësive të armatosura ose të transporteve.
Biseda nuk ka qenë dhe aq miqësore, thotë “Deutsche Welle”, po të merret parasysh se dy liderët e kërcënuan presidentin rus me pasoja të tjera. Putin, sipas tyre, duhet të bëjë gjithçka të nevojshme, për të ndikuar në fundin e shpejt të luftimeve, e nëse kjo nuk ndodh, do të ketë sanksione të tjera të bashkësisë ndërkombëtare.
Të premten, kreu i shtetit ukrainas Petro Poroshenko shpalli një armëpushim të njëanshëm, hap ky i përshëndetur nga Moska, që e konsideron megjithatë të pamjaftueshëm.
Putin këmbëngul për dialog me kryengritësit në Lindje të vendit. Pa vepra konkrete, të orientuara te negociatat, plani do të mbetet jo realist dhe pa jetë, deklaroi ai në reagimin e parë publik ndaj planit të paqes.
Por, një dialog i tillë deri tani nuk duket gjëkundi. Me gjithë iniciativën e Poroshenkos, të shtunën, në Lindje të Ukrainës shpërthyen luftime të reja midis ushtrisë dhe kryengritësve pro-rusë. Të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën se e kishin shkelur armëpushimin që në fillim.
Top Channel