Një ditë pas protestave të dhunshme në Mitrovicë, ku mbetën të lënduar 23 qytetarë dhe policë, të hënën qyteti i është kthyer normalitetit dhe gjendja e sigurisë paraqitet më e qetë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Jug të Mitrovicës, Nehat Thaçi, ka thënë përmes telefonit për Top Channel se gjendja e sigurisë tanimë është e qetë, por forcat e policisë dhe të KFOR-it vazhdojnë të qëndrojnë përreth urës mbi lumin Ibër.Sipas tij, protestuesit që i ka arrestuar policia të dielën gjatë protestës janë dërguar në procedurë të rregullt në Prokurori dhe tanimë me ta po merren organet e drejtësisë.

Edhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës të hënën gjendja e sigurisë është e qetë. Zëvendëskomandanti i Policisë për pjesën veriore, Besim Hoti, ka treguar për Top Channel se megjithatë kanë prezencë të shtuar të policisë edhe tek ura, por edhe në lagje të banuara me popullsi të përzier, për të parandaluar çfarëdo provokimi apo konflikti eventual.

Përplasja e protestuesve shqiptarë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës që ndodhi të dielën pasdite gjatë protestës, erdhi pas kundërshtimeve ndaj vendosjes së barrikadës së re të vendosur mbi urën e Ibrit nga autoritetet komunale të veriut të Mitrovicës.

Zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga protestat e dhunshme, duke theksuar se barrikadat do të largohen së shpejti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA