Pavarësisht një kulture dhe historie të përbashkët, tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës nuk kanë munguar gjatë shekullit të fundit e deri diku, ballafaqimi i tanishëm mes dy shteteve fqinje ishte i pritshëm.
Rëndësia gjeo-politike e Ukrainës është e dukshme, thotë Zëri i Amerikës duke kujtuar se për Moskën ajo mbetet rrugë kryesore tranziti për eksportimin e gazit në tregun europian. Ukraina po ashtu shërben, sipas Rusisë, edhe si një zonë mbrojtëse prej ndonjë sulmi të mundshëm nga Perëndimi.
Se çfarë rëndësie ka ajo realisht, Vladimir Putin e di mirë dhe jo më kot vazhdon t’i mëshojë idesë së një vëllazërie sllave në fjalimet e tij që nga aneksimi i Krimesë në muajin mars. Por, marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë dhe aq të thjeshta. Ukrainasit ende kujtojnë ekzekutimet në masë dhe varfërinë e orkestruar nga diktatori Joseph Stalin, gjatë së cilës miliona vetë humbën jetën në vitet 1930.
Rusët e konsiderojnë bashkëpunimin e një pjese të ukrainasve me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, si tradhëti të hidhur. Media ruse i ka paraqitur protuestuesit në Kiev si fashistë. Këto lloj etiketimesh i ndajnë njerëzit në kategori. Për shtypin rus, ukrainasit janë ose “fashistë” ose “njerëzit tanë”, e me këtë lloj retorike sipas ekspertëve, lihen në harresë ukrainasit si komb.
Me përfundimin e zgjedhjeve dhe vendosjen e Petro Poroshenkos në krye të shtetit, është e paqartë nese Putini dëshiron të vazhdojë vëllazërinë mes dy shteteve.
Por, nga ana tjetër është mëse e qartë për të gjithë se Poroshenko ka trashëguar një Ukrainë më të përçarë se kurrë.
Top Channel