Shërbyesit civilë të Kosovës janë të pakënaqur me trajtimin që po u bëjnë institucionet dhe kanë paralajmëruar protesta dhe greva nëse qeveria nuk zbaton ligjin për pagat e kësaj kategorie nga 1 korriku, siç është parashikuar me ligj.

Në Ditën ndërkombëtare të shërbimit civil, kryetari i Sindikatës, Mursel Zymberi ka thënë se kushdo që formon qeverinë e re duhet të kryejë detyrimet ndaj 21 mijë shërbyesve civilë.

“Jemi shumë të vendosur që në rast se nuk do të ketë zbatim të ligjit të pagave për shërbyesit civilë, Sindikata e Shërbimit Civil do të përdorë të gjitha mjetet e lejuara sindikale që ta vënë në zbatim këtë ligj. Mjetet e lejuara sindikale janë të përcaktuara shumë qartë me ligjin për organizimin sindikal, me ligjin e grevave dhe me ligjin për shërbimin civil”, ka deklaruar Zymberi.

Kërkesat sindikale janë që qeveria të bëjë kategorizimin e shërbyesve civilë dhe sistematizimin e vendeve të punës, duke u njohur punonjësve përvojën dhe shkollimin që kanë, si dhe duke ua ngritur pagesën e koefiçienteve. Zymberi ka përmendur edhe kushtet e vështira me të cilat përballen shërbyesit civilë gjatë punës.

“Kemi punëtorë të cilët punojnë nëpër bodrume dhe me kushte zero, ose minimale, ose fare të përshtatshme, me një ndotje të ambjentit jashtë normales, që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e tyre. Kemi punëtorë që punojnë në kontejnerë të caktuar, të cilëve as nuk dihet se kur u ka skaduar afati dhe ende vazhdojnë të punojnë”, ka thënë Zymberi.

Në Ministrinë e Administratës Civile, e cila është përgjegjëse e shërbyesve civilë, nuk kanë pranuar të flasin rreth kërkesave të sindikalistëve dhe për kushtet e punës së shërbyesve civilë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA