Një ushtar koreano-jugor i cili vrau 5 pjesëtarë të skuadronit të tij është kapur në përpjekje e sipër për të vrarë veten.
Ushtari i identifikuar vetëm me emrin Im po tentonte të qëllonte veten pas masakrës që kreu të shtunën.
Ushtari hapi zjarr ndaj shokëve të tij pasditen e së shtunës në bazën ushtarake në provincën lindore Ganguon.
Ende nuk dihen motivet e këtij veprimi.
Me të gdhirë e diela, nisi një operacion masiv kërkimi, teksa helikopterët gjurmonin zonën kodrinore me pyje të dendura, ndërsa në kërkime morën pjesë edhe forcat speciale që, sipas një deklarate të shkurtër për mediat nga një kolonel, përfshijnë rreth 9 batalione.
Pasi u zbulua teksa po fshihej në një shkollë, rreth 10 km nga baza, ushtari hapi zjarr sërish ndaj trupave të tjerë, duke plagosur një udhëheqës grupi kërkimor, raportoi televizioni YTN.
Trupat në kërkim kanë marrë urdhër “për të qëlluar për vdekje” ushtarin, në rast se ai nuk dorëzohet, raporton YTN, teksa citon zyrtarë të lartë ushtarakë.
Prindërit e ushtarit, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, janë shoqëruar drejt vendngjarjes, aty ku e ëma e tij i është lutur të dorëzohet, pasi trupat duken se janë tërhequr pas shpërthimit të të shtënave.
Top Channel