Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, mbërriti në Bagdad gjatë së hënës, për të nxitur kryeministrin Nuri al-Maliki të formojë një qeveri më gjithëpërfshirëse, për të shuar kryengritjen e sunitëve, që ka zaptuar pjesën më të madhe të Irakut verior dhe perëndimor.
Vizita e Kerry-t vjen pak kohë pasi militantët sunitë pushtuan fortesën përgjatë kufirit me Sirinë, gjatë fundjavës, duke forcuar rrugët e tyre të furnizimeve.
Kerry do të “diskutojë veprimet e SHBA-ve për të ndihmuar Irakun të përballet me këtë kërcënim, si dhe të nxisë liderët irakenë të vazhdojnë përpara sa më shpejt të jetë e mundur me procesin e formatimit të qeverisë, për të krijuar një qeveri që përfaqëson të gjitha interesat e irakenëve”, bëri të ditur zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.
Kerry tha të dielën se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndikojnë aspak, aq më tepër të zgjedhin, se cili do të sundojë në Bagdad. Ai tha, gjithsesi, se Uashingtoni ka vërejtur pakënaqësinë mes kurdëve, sunitëve dhe disa prej shiitëve me lidershipin e Maliki-t, si dhe theksoi se SHBA-të duan që irakenët të “gjejnë një udhëheqës të aftë e të përgatitur për të qenë gjithëpërfshirës dhe për të ndarë pushtetin”.
Një zyrtar i lartë i DASH tha se SHBA-të besojnë se avancimi i militantëve drejt Bagdadit është ngadalësuar, pavarësisht se zaptimi i pikëkalimeve kufitare përbën një shqetësim serioz.
“Progresi drejt Bagdadit është ndalur”, tha zyrtari, i cili informoi shkurtimisht reporterët mbi situatën në Irak. “Ndaj, kërcënimi për Bagdadin nuk është aq i menjëhershëm, sa ka qenë në ditët e para, teksa njerëzit frikësoheshin se deri ku mund të shkojë kjo kryengritje”.
Top Channel