Brazil, të shtëna në Rio, 3 të vrarë

23/06/2014 00:00

Të shtëna intensive janë verifikuar në Rio de Zhaneiro mes policisë dhe një grupi personash të dyshuar si trafikantë droge, me pasojë vdekjen e tre personave.

Viktimat janë dy të rinj dhe një oficer policie. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës, me orën lokale, në një nga lagjet e varfëra të qytetit, Complexo do Alemao. Të shtënat u verifikuan në një kohë kur disa dhjetëra mijëra tifozë janë mbledhur në Rio.

Autoritetet policore deklaruan se agjentët u qëlluan teksa po patrullonin në lagjen në fjalë. Gjithashtu, ato shtuan se dy të rinjtë që mbetën të vrarë ishin të lidhur me trafikun e drogës.

“Ata përdornin radiomarrëse për t’i treguar njëri-tjetrit se ku ndodhej patrulla dhe kur panë një grup të vogël oficerësh dhanë urdhër për të qëlluar”, deklaroi një oficer policie për gazetën “O Globo”.

Forcat braziliane të sigurisë u futën në Complexo do Alemao në vitin 2012 në përpjekje për të vënë nën kontroll bandat kriminale. Por të shtënat atje vazhdojnë të jenë të shpeshta, pavarësisht faktit se lagjia renditet mes favelave të para ku është vënë paqja.

Me një popullsi prej 100 mijë banorë, ajo është një nga më të mëdhatë në qytetin brazilian dhe është kthyer edhe në destinacion turistik për vizitorët që duan të shohin zonat e varfëra të Rios.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB