Presidenti rus Vladimir Putin tha gjatë së dielës se gjatë natës është përdorur artileri e rëndë në luftimet në Lindje të Ukrainës, duke bërë thirrje ndaj Kievit që të ndalë luftimet dhe të sigurojë zhvillimin e dialogut me rebelët.
“Për fat të keq, ajo që po shohim na tregon se luftimet vazhdojnë, ndërsa gjatë natës së fundit kemi parë përdorime aktive të artilerisë së rëndë nga pala ukrainase”, tha Putin për televizionin rus, “Rossiya-24”. “Duhet të sigurohemi që luftimet të ndalen nga të gjitha palët”.
Ai lavdëroi shpalljen e armëpushimit nga ana e presidentit ukrainas Petro Poroshenko, por tha se dialogu paqësor mes Kievit dhe rezidentëve në Ukrainën Lindore duhet të nisë sa më shpejt.
Ndërkohë, të shtunën, Putin kishte shprehur mbështetje të kufizuar për armëpushimin e njëanshëm të Ukrainës, në konfliktin e saj me separatistët pro-rusë, por i bëri thirrje presidentit Poroshenko për të mbajtur bisedime me rebelët, në mënyrë që të shmangë prishjen e kësaj paqeje.
Kremlini përcaktoi këndvështrimin e Putin, pas luftimeve përgjatë natës në lindje të Ukrainës, në të cilat separatistët pro-rusë, sipas forcave qeveriate ukrainase, sulmuan bazat ushtarake dhe postat doganore vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të njëanshëm, mbrëmjen e së premtes.
Edhe pse mirëpriti paqen e Poroshenkos, Kremlini tha se Putin beson se plani i tij i paqes nuk duhet të jetë në formën e një “ultimatumi” ndaj rebelëve, si dhe paralajmëroi se armëpushimi nuk do të jetë “jetësor dhe real”, nëse nuk ndërmerren lëvizje praktike për nisjen e bisedimeve mes palëve kundërshtare.
Top Channel