Pakistan, 350 mijë të zhvendosur nga luftimet

22/06/2014 00:00

Rreth 350 mijë persona janë zhvendosur, që nga fillimi i një ofensive ushtarake kundër militantëve, në rajonin e Uaziristanit verior në Pakistan, një javë më parë.

Radhë të gjata autobusësh dhe kamionësh raportohen se presin në mesin e një të nxehti të madh, deri sa kryhen kontrollet e sigurisë, dhe më pas lejohen të hyjnë në qytetin e afërt Bannu.

Ekziston frika se refugjatët mund të përhapin poliomelitin, ndërsa shumë fëmijë të zhvendosur nuk janë vaksinuar për sëmundjet shumë infektive, si poliomeliti, për shkak se kjo ishte ndaluar nga talebanët.

Zyrtarët lokalë thonë se po bëjnë gjithçka munden, për t’i bërë ballë krizës humanitare që po krijohet. Një kamp për të zhvendosurit është ndërtuar në afërsi të Bannu-së. Por, pjesa më e madhe e familjeve kanë refuzuar të shkojnë atje, duke thënë se mungojnë elementët thelbësorë si uji, ushqimi dhe kujdesi mjekësor.

Disa refugjatë kanë shfaqur zemërim ndaj ushtrisë, që ka bombarduar shtëpitë e tyre. Por, shumë të tjerë kanë pranuar se, nuk besojnë se qeveria pakistaneze mund t’i ndihmojë ata. Ofensiva filloi pas një sulmi vdekjeprurës në aeroportin e Karaçit. Sulmi ishte marrë përsipër nga një grup militant uzbek dhe nga talebanët pakistanezë.

Ushtria thotë se të paktën 160 militantë janë vrarë, që nga fillimi i sulmeve ajrore, që kishin në shënjestër militantët në Shaval dhe zona të tjera të Uaziristanit verior. Nuk ka akses të mediave në zonë dhe, si rrjedhojë, lajmet nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Tanket dhe trupat janë dërguar po ashtu në terren, për një operacion të plotë ushtarak kundër talebanëve dhe rrjeteve të militantëve të huaj, që janë vendosur në afërsi të kufirit afgan. Uaziristani verior ka një popullatë prej rreth 7 milionë banorësh. Zyrtarët thonë se rreth 80 përqind e popullatës jeton akoma në zonë, ndërsa operacionet ushtarake intensifikohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB