Muxhahedinët zgjerojnë territoret në Irak

22/06/2014 00:00

Militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIS-ISIL) kanë marrë nën kontroll dy pika kryesore kufitare, atë me Jordaninë dhe me Sirinë, në Irakun Perëndimor.

Tashmë militantët kontrollojnë 3 vendkalime kufitare në provincën Anbar. Ndërkohë në veri raportohet se aeroporti i qytetit Tal Afarisht tashmë është në duart e rebelëve.

Më herët gjatë të dielës, forcat qeveritare janë tërhequr nga tre qytete në Perëndim të vendit: Al Qaim, Rava dhe Ahena, gjë të cilën e kanë quajtur si taktike.

Sipas BBC, militarët sunitë kanë marrë edhe kontrollin e Rutbes, një qytet në provincën e Anbarit dhe sipas zëdhënësit të rebeleve, ata kanë ndër mend të marrin të gjithë provincën.

Të paktën 7 persona kanë mbetur të vrarë nga një sulm ajror ne Tikrit, qytetit verior të Irakut në duar të militantëve xhihadistë. Deshmitarët nuk dinë të thonë nëse viktimat janë ushtarakë, apo civile.

Sipas korrespondentëve, ISIS duket e mirëtrajnuar dhe me armatime më të mira edhe se ushtria irakiane. Ekstremistët sunitë sulmuan qytetin e Mosulit në fillim të qershorit dhe që atëherë morën kontrollin e territoreve të gjera përgjatë Irakut.

Ndërkohë, ka një pesimizëm të dukshëm në Bagdad në lidhje me mënyrën se si qeveria po lufton rebelët. Sipas eksperteve ISIS ka siguruar tashmë bastionet e saj. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry pritet të vizitojë Irakun për të inkurajuar krijimin e një qeverie më përfaqësuese, me shpresën se kjo mund të zbusë tensionet mes sekteve rivale myslimane në vend.

SHBA, që u tërhoq nga Iraku në 2011-ën, do të dërgojë rreth 300 këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar vendin në luftën kundër rebelëve, por, përballë apeleve irakiane për ndërhyrje amerikane nga ajri, shtëpia e bardhë insiston se nuk ka një zgjidhje të pastër ushtarake për krizën. Obama beson se Kryeministri irakian, Nouri al Maliki ka vënë në rrezik vendin duke injoruar shqetësimet sunite dhe duke qeverisur në interes të shumicës shiite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB