Prindërit e rekrutit ushtarak në Korenë e Jugut, i cili vrau 5 shokë ushtrie pas një sulmi me granatë dhe automatik, i janë lutur atij të dorëzohet gjatë së dielës, pasi ky shkëmbeu zjarr me ushtarë të tjerë gjithashtu, të cilët janë duke e ndjekur dhe rrethuar pranë një shkolle, në afërsi të kufirit me Korenë e Veriut.
Gjatë orëve të vona të së shtunës, ushtari hodhi një granatë dhe hapi zjarr duke vrarë 5 anëtarë të njësisë së tij, si dhe duke plagosur 7 të tjerë, në një pikë-vrojtimi në bazën ushtarake të qytetit Goseong, një rajon malor që kufizohet me Korenë e Veriut në bregun lindor të gadishullit.
Me të gdhirë e diela, nisi një operacion masiv kërkimi, teksa helikopterët gjurmonin zonën kodrinore me pyje të dendura, ndërsa në kërkime morën pjesë edhe forcat speciale që, sipas një deklarate të shkurtër për mediat nga një kolonel, përfshijnë rreth 9 batalione.
Pasi u zbulua teksa po fshihej në një shkollë, rreth 10 km nga baza, ushtari hapi zjarr sërish ndaj trupave të tjerë, duke plagosur një udhëheqës grupi kërkimor, raportoi televizioni YTN.
Trupat në kërkim kanë marrë urdhër “për të qëlluar për vdekje” ushtarin, në rast se ai nuk dorëzohet, raporton YTN, teksa citon zyrtarë të lartë ushtarakë.
Prindërit e ushtarit, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, janë shoqëruar drejt vendngjarjes, aty ku e ëma e tij i është lutur të dorëzohet, pasi trupat duken se janë tërhequr pas shpërthimit të të shtënave.
“Kam dëgjuar disa të shtëna për rreth 10 minuta”, tha Byun Sang-man, një fermer 80-vjeçar, për Reuters. “Nuk mund të dalim nga fshati, pasi ushtarët janë shpërndarë në çdo cep të tij. Lideri i grupeve kërkimore u kërkoi gjithë njerëzve të qëndrojnë nëpër shtëpi”.
Një zyrtar ushtarak e identifikoi agresorin si rreshterin Lim dhe tha se ai do të shkarkohet më 16 Shtator.
Top Channel