Separatistët pro-rusë kanë kryer një seri sulmesh ndaj trupave ukrainase, pavarësisht armëpushimit të njëanshëm të shpallur nga Kievi.
Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase, sipas të cilave të paktën 6 agjentë të kufirit mbetën të plagosur nga bombardimi i rebelëve gjatë orëve të natës, në lindje të vendit.
Më herët rebelët refuzuan armëpushimin e thirrur nga presidenti Petro Poroshenko, që ishte dhe hapi i parë i planit të shpallur ditën e premte.
Madje, ata deklarojnë se vetë ushtria ukrainase e ka shkelur armëpushimin në fjalë. Mësohet se gjatë natës separatistët sulmuan tre postoblloqe kufitare të Ukrainës, në rajonet e Donetskut dhe Luhanskit.
Rebelët bombarduan postoblloqet me raketa dhe goditje mortajash, duke plagosur 6 prej rojtarëve të kufirit. Gjithashtu, ata sulmuan trupat ukrainase jashtë fushës ajrore të Kramatorskut, në rajonin e Donetskut.
Forcat ukrainase iu përgjigjën zjarrit dhe të gjitha sulmet u zmbrapsën, raportuan autoritetet. Megjithatë, disa roje kufitare në pikën e lokalitetit Izvarin u detyruan të tërhiqeshin në territorin rus.
Viktima raportohet të ketë pasur edhe në radhët e separatistëve. Ndërkohë, në zhvillime të tjera, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat në rajonin qendror ushtarak që të jenë në gatishmëri të plotë luftarake për një javë.
Stërvitja në fjalë nuk prek trupat në afërsi të kufirit me Ukrainën. Zoti Putin i ka urdhëruar këto stërvitje për të testuar gatishmërinë ushtarake në muajt e fundit.
Top Channel