Kriza në Ukrainë, SHBA zgjeron sanksionet

21/06/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj drejtuesve pro-rusë të lëvizjes separatiste në Lindje të Ukrainës.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen dhe bllokimin e pasurive dhe të llogarive të tyre bankare pas dështimit për të ulur tensionet në Luhansk dhe Donetsk.

Një ditë më parë, Perëndimi kërcënoi Moskën me të tjera sanksione. Uashingtoni dhe aleatët e tij europianë akuzojnë Rusinë si shkaktare të përshkallëzimit të tensioneve në Ukrainë.

Një ditë më parë, presidenti ukrainas, Petro Poroshenko njoftoi një armëpushim të njëanshëm prej një javë “për t’u dhënë kohë separatistëve të çarmatosen”. Por si Moska ashtu edhe separatistët pro saj në Lindje të vendit e refuzuan propozimin.

Aktualisht disa zyrtarë të lartë rusë, kryesisht këshilltarë të presidentit Putin janë në listën e sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Europian që prej muajit mars, kur Moska aneksoi në mënyrë të njëanëshme Gadishullin e Krimesë.

Të premten, Departamenti i Thesarit në Uashington njoftoi vendosjen në listën e zezë të shtatë emrave të drejtuesve të lëvizjes separatiste në lindje të Ukrainës. Asetet e tyre në Shtetet e Bashkuara do të bllokohen dhe kompanitë amerikane nuk do të lejohen që të hyjnë në marrëdhënie tregtare me ta.

Zyrtarët amerikanë thanë se po konsiderohet mundësia e vendosjes së sanksioneve teknologjike për Moskën që do të përfshinte një ndalim të materialeve të fjalës së fundit që Rusia ka ose mund të ketë në plan të blejë për të përmirësuar mbrojtjen e saj ushtarake.

Po të premten, Obama bisedoi me Merkel dhe Hollande. Në njoftimin e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se tre udhëheqësit ranë dakort të koordinojnë hapat e mëtejshëm kundër Moskës.

Uashingtoni akuzon Rusinë se po mbështet separatistët financiarisht, por edhe me armatime. Sipas Kievit dhe SHBA-së tanke dhe armatime të tjera të rënda kanë hyrë nga Rusia në drejtim të Ukrainës së fundmi. Por Moska mohon të tilla pretendime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB