Qindra militante shiitë, besnikë të klerikut të pushtetshëm Moqtada al-Sadr parakaluan në rrugët e Bagdadit duke rritur tensionet sektare në Irak, pavarësisht luftës së ashpër me ekstremistët e ISIS në lindje dhe veri të vendit.
Parada është thërritur nga vetë kleriku, forca besnike të të cilit, të quajtura “Armata Mehdi” kanë luftuar edhe kundër ndërhyrjes amerikane.
Korrespondentët e huaj thonë se qeveria irakiane e sheh shqetësuese këtë paradë. Parakalime të ngjashme janë zhvilluar edhe në zonat e tjera të vendit, kryesisht në jug, në zona të kontrolluara nga qeveria dhe mbështetësit e saj shiitë.
Ndërkohë, ekstremistët sunitë të ISIS vazhdojnë të mbajnë nën kontroll zona të tëra të Irakut, kryesisht në veri, përfshirë këtu qytetin e dytë më të madh të vendit, Mosul dhe Tikritin. Avancimi i tyre në veri-perëndim është ndalur nga forcat e Republikës Autonome të Kurdëve.
Luftimet janë përqendruar në rafinerinë më të madhe të naftës në vend në Baiji dhe në Aeroportin Tal Afar në veri të Irakut.
Mijëra irakianë, kryesisht të sektit shiit i janë bashkuar thirrjeve të klerikëve dhe të qeverisë irakiane për të dalë vullnetarë kundër ekstremistëve sunitë.
Por korrespondenti i BBC Jim Muir thotë se parakalime të tilla të tregimit të forcës me shumë gjasa do të përshkallëzojnë tensionet fetare mes shiitëve dhe sunitëve, të cilët po ushtrojnë presion ndaj qeverisë së kryeministri Nuri al-Maliki për të bashkuar vendin kundër ekstremistëve.
Shtetet e Bashkuara po konsiderojnë ndërhyrjen në Irak, ndërkohë që së shpejti vendi pritet të vizitohet nga Sekretari i Shtetit, John Kerry. Uashingtoni dërgoi rreth 275 trupa më herët për të mbrojtur Ambasadën në Bagdad, ndërkohë që së fundmi u mor vendimi për dërgimin e 300 trupave të tjera që do të ndihmojnë dhe këshillojnë ushtrinë irakiane.
Top Channel