Egjipt, dënimet masive me vdekje

21/06/2014 00:00

Një gjykate egjiptjane konfirmoi dënimet me vdekje të 183 përkrahësve të Vllazërisë Myslimane, të akuzuar për mësymjen e një komisariati policie në 2013-n.

Dy muaj më parë, një tjetër gjykatës pati rekomanduar ndëshkimin kapital për 683 të akuzuar, hap ky i kritikuar si brenda vendit, ashtu edhe jashtë kufijve të tij.

Mohamed Badie, lideri i organizatës së shpallur të jashtëligjshme nga qeveria ushtarake e Egjiptit, është në mesin e personave dënimi i të cilëve u la në fuqi.

Me shumë gjasë, vendimi ekstrem do të apelohet. Autoritetet egjiptjane kanë ndërmarrë një fushatë të egër shtypjeje ndaj islamikëve në vend, që kur presidenti Mohamed Mursi, anëtar i Vllazërisë Myslimane, u përmbys nga pushteti prej ushtrisë korrikun e vitit të kaluar pas një vale protestash masive në mbarë vendin.   

Kinë, atentat në stacionin energjisë

Të paktën 13 vetë u vranë gjatë mësymjes së një stacioni policie në perëndim të Kinës. Ngjarja ndodhi në provincën e trazuar Xinjiang, ku agresorët u përpoqën të hynin në kompleks me makina dhe shpërthyen eksplozivë.

Sipas mediave vendase, tre policë morën plagë të lehta, ndërsa asnjë civil nuk mbeti i lënduar. Episodet e dhunës në këtë provincë janë shtuar ndjeshëm, e për këtë autoritetet kineze fajësojnë ujgurët myslimanë.

Verifikimi i informacioneve nga rajoni në fjalë është mjaft i vështirë sepse qasja e gazetarëve atje është e kufizuar dhe fluksi i informacionit kontrollohet rreptësisht.

Emigracioni ilegal drejt Shteteve të Bashkuara

Shtetet e Bashkuara po shtojnë asistencën dhe njëkohësisht deportimet për t’i bërë ballë numrit në rritje të emigrantëve nga Amerika Qëndrore.

Guatemala, El Salvadori dhe Hondurasi do të marrin miliona dollarë ndihma për luftën kundër bandave kriminale. Paratë do të përdoren gjithashtu edhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të riatdhesuar nga Shtetet e Bashkuara.

Shtepia e Bardhë thotë se një hap i tillë do të ndihmojë në largimin e emigrantëve të paligjshëm nga vendi dhe hapjen e qendrave të reja të pritjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB