Refugjatët, shifra më e lartë që prej L II B

20/06/2014 00:00

Numri i personave që detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftës apo persekutimit kaloi shifrën e 50 milionë njerëzve në vitin 2013, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Lajmin e bëri të ditur agjencia e OKB për refugjatët. Në tërësi shifra është 51.2 milionë, 6 milionë më shumë se një vit më parë, raportoi UNHCR. A

Antonio Guterres, drejtor i UNHCR-së, tha për BBC se kjo rritje përbën një “sfidë dramatike” për organizatat që ofrojnë ndihmë. Sipas tij, konfliktet në Siria, Afrikën qendrore dhe Sudanin e Jugut ndikuan shumë në rritjen e kuotës.

“Konfliktet po shtohen gjithnjë e më shumë dhe në të njëjtën kohë konfliktet e vjetra duket se nuk vdesin kurrë”, deklaroi Guterres.

Me shqetësim të veçantë shihen 6.3 milionë personat që kanë qenë refugjatë për vite të tëra, disa prej të cilëve edhe prej dekadash. Personat që jetojnë në ato që OKB i quan afate “të zgjatura” emigrimi përfshijnë mbi 2.5 milionë afganë.

Afganistani është dhe vendi i parë në botë me numrin më të lartë të refugjatëve, ndërsa Pakistani fqinj ka pritur më shumë refugjatë se çdo vend tjetër, plot 1.6 milion.

Në mbarë botën, mijëra refugjatë nga vende me kriza të harruara kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre në çadra. Përgjatë kufirit mes Tajlandës dhe Birmanisë, 120 mijë persona nga Birmania, të etnisë Karen kanë jetuar në kampe refugjatësh për mbi 20 vjet.

“Refugjatët nuk duhet të kthehen mbrapsht me forcë, përveç rasteve kur në vendin e tyre ka siguri”, ka vlerësuar OKB. Për shumë prej tyre, mes të cilëve mbi 300 mijë refugjatë somalezë që jetojnë në një kamp të Kenias, perspektivat duken të brishta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB